Kontributet në Trust: Pensionistët ankohen se u mungojnë mjetet

Halit Krendali nga Komuna e Rahovecit ka 5 muaj që ka dalë në pension. Por, kur ka tërhequr kontributet e tij në Trust, ka vërejtur që një shumë e caktuar e këtij kontributi mungon.

Për këtë ai ka thënë se do ta padisë këtë institucion.

Përderisa, në një përgjigje me shkrim, zyrtarë të Trustit kanë thënë se për shkak të pandemisë ka pasur rënie të lehtë e çmimit të aksionit prej -0.6%, por që kjo, sipas Jeton Demit, zyrtar për informim në këtë institucion, nuk i ka prekur të pensionuarit, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Trusti ka marrë masa që asnjë kontribuues që pensionohet për arsye moshe (pra arrin moshën 65 vjeç) më 2020 të mos preket nga situata e rënduar ekonomiko-financiare në botë”, thuhet në përgjigjen e Trustit.

Pos kësaj, Krendali dhe shumë pensionistë të tjerë ballafaqohen me problemin e mosnjohjes së stazhit të punës gjatë viteve ’90.

Muharrem Sahiti është një tjetër pensionist i cili ka punuar për më shumë se 11 vjet, por që nuk i njihet ky stazh.

Thotë se, pavarësisht shumë vjetëve të punës, pensionin e merr 90 euro.

Por, sipas Ligjit të Punës në Kosovë, pensioni kontributdhënës u njihet atyre personave që kanë stazh pune jo më pak se 15 vjet.