Kosova mori përsipër kredi milionëshe të trashëguar nga koha e Jugosllavisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova ka pranuar të paguajë borxh të trashëguar nga ish-Jugosllavia. Bëhet fjalë për kreditë e marra në Bankën Botërore për Kosovë, në kohën e Jugosllavisë.

Shteti i Kosovës ka marrë përsipër të paguajë 381 milionë euro borxh, prej të cilave 192 milionë euro nga to kanë qenë ndëshkime.

Kjo është bërë e ditur në një debat që Murati ka zhvilluar në rrjetin social facebook, me profesorin e ekonomisë, Muhamet Mustafa. Ky i fundit në një postim ka thënë se deklarimi i Muratit në Kuvend për këtë çështje është i pasaktë, duke aluduar në atë se Kosova nuk ka marrë përsipër asnjë borxh nga koha e Jugosllavisë.

Reklama e sponzorizuar

“Ne negociatat e Vienes, Delegacioni i Kosovës ka kërkuar që jo vetëm vonesat por edhe gjithë borxhin qe është dashur te paguhen gjate asaj dekade duhet ta paguaj qeveria Serbe , sepse ka okupuar asetet e lidhura me këto borxhe dhe i ka përdore për politiken e vet koloniale. Kjo ka qene kërkese decidive e Kosovës dhe qëndrim i ekipit te eksperteve qe kam udhëhequr unë dhe i gjithë ekipit te unitetit. Marrëveshja me Serbinë nuk është arritur . Plani I Ahtisuarit ka papare mundësinë e një arbiteri neutral por as kjo nuk është zbatuar. Ne Memon qe i kam përgatitur Kryeministrit Hoti për dialogun e tashëm është ripërsëritur qëndrimi i Kosovës sikurse ne Negociatat e Venës. Deputeti Hekuran Murati, tha se Kosova paska ndryshuar këtë qëndrim dhe se dikush i paska pranuar këto borxhe ! Mua kjo nuk me është njohur, e as nuk e di se te dy palët kane diskutuar borxhet pas negociatave ne Viene”, ka shkruar Mustafa.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Muratit. Ai ka thënë se kjo çështje potencohet në raportin mbi borxhin publik.

“Në marrëveshjen e nënshkruar që pranon këtë borxh, është edhe nënshkrimi i Fatmir Sejdiut. Dhe do të duhej ta kishte ndarë informatën edhe me profesorin Mustafa, të paktën”, ka thënë Murati.

Në raportin mbi borxhin publik thuhet se “kredia në fjalë është trashëguar si borxh i shtetit të Kosovës nga koha e ish-Jugosllavosë”. /Buletini Ekonomik/

No description available.