Kosova ka kërkuar shtyrjen e rifillimit të dialogut në Bruksel

Gjithçka ishte menduar të jetë në nivel të lartë. Pas një konference me dy njerëzit më të fortë në BE, kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron, Brukseli ishte caktuar si destinacioni i radhës për vizita të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ata në Bruksel do të ftoheshin së pari në darkë nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në praninë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ajo darkë do të zhvillohej të shtunën dhe do të tregonte se sa lart në agjendë të BE-së është dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Michel është shumë i zënë me llogaritjet se kush sa do të paguajë dhe si do të shpenzohen afër 2000 miliardë euro nga buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së dhe fondi për rimëkëmbje pas krizës. Ai edhe në këtë situatë do të gjente kohë për Kosovën dhe Serbinë. Një ditë më pas, të dielën, më 12 korrik, në selinë e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, EEAS, do të zhvillohej edhe takimi formal i palëve me çka do të konsiderohej edhe formalisht se ka rifilluar dialogu i ndalur për më shumë se 18 muaj. Pasi aty afër është edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursuila van der Leyn, e cila ka vendosur të jetojë në selinë e Komisionit Evropian një apartament të vogël të improvizuar, ka pasur ide që edhe ajo t’i ftojë dy mysafirët, Hotin dhe Vuçiqin, për takim në selinë e Komisionit Evropian, shkruan KOHA Ditore.

Por, ky takim i së dielës nuk do të ndodhë. Ka disa ditë që disa diplomatë në BE pohojnë se “duket se kryeministri i Kosovës ka telashe për të ardhur në takim dhe ne po e inkurajojmë të vijë”. Madje, besonin se pasigurinë që e ka për shkak të situatës në Kosovë do ta tejkalojë pas inkurajimeve nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.

Reklama e sponzorizuar

Por, ishte presidenti i Serbisë ai i cili i pari dha lajmin se takimi nuk do të ndodhë të dielën. Vuçiq edhe më parë gjatë dialogut ka qenë ai që i ka dhënë lajmet se çfarë do të ndodhë dhe kur. Ai duket se ka edhe informata nga dora e parë se çfarë po ndodh edhe në Qeverinë e Kosovës. Sepse ka në qeveri njerëz të cilët besojnë se ai e jo Hoti i përfaqëson në dialog, edhe pse janë ministra në qeverinë Hoti në Kosovë. Vuçiqi ka gjetur momentin e duhur për të qëndruar tri ditë në Paris dhe dy ditë në Bruksel, kur në Beograd vazhdojnë protestat kundër tij, për të cilat ai ka fajësuar “agjenturat e huaja dhe mediat e Kroacisë”.