BE-ja ia ka dhuruar Kosovës 6.000 teste, 67.000 maska, 90 shtretër dhe 350 pajisje për matjen e pulsit, të gjitha këto në vlerë prej 800.000 eurosh.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit, të mbajtur të enjten, të pranishëm ishin Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe shefja e Zyres së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Zemaj ka thënë me këtë rast se shëndeti është më i rëndësishëm sesa qëndrimet politike.
Ai, teksa e ka përsëritur thirrjen për respektimin e masave, ka folur për “thirrjet për padëgjueshmëri për vendimet e Qeverisë”.
“Respektoni masat, zbatoni ato, mos i dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri për vendimet e Qeverisë… më i rëndësishëm është shëndeti sesa politika apo dallimet politike që paraqiten në kohë pandemie”, ka thënë ai.
Apostolova ka bërë po ashtu të ditur se gjatë javës së ardhshme, Kosova do të ndihmohet edhe me ventilatorë.
Ndërkohë, Zemaj ka treguar se me donatorët është në koordinim të vazhdueshëm.
“Ministria e Shëndetësisë është duke u koordinuar me donatorë. Ky është një ndër pjesët e kontigjentit, të ardhur më parë. Këto na kanë ndihmuar shumë në pandemi”, ka thënë ai.