Halil Krasniqi, drejtor teknik në Telekom, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kontrata me Z-Mobile duhet të rishikohet, derisa e ka quajtur atë si më korruptivja që nga paslufta.
“Për neve faktin se nuk janë gjetë provat nuk e zhbënë dëmin. Nga profesionistë të brendshëm të Telekomit është përgatitur një raport për dëmet që u janë bërë Telekomit nga kjo kontratë. Kjo kontratë duhet me u rishikuar patjetër prej fillimit”, ka thënë Krasniqi. “Në momentin e parë kur janë ballafaquar me probleme, ka pasur probleme gjatë gjithë kohës, menjëherë këta e kanë çuar në arbitrazh. Telekomi lidhur me këtë e ka ngritë një padi pranë Gjykatës Themelore të shkallës së parë ku ka kërkuar prapësimin e këtij përmbarimi dhe gjatë procedurës së kësaj është arritur një marrëveshje ndërmjet Telekomit dhe Dardafonit, me kusht që borxhin me ia kthyer përmes shërbimeve dhe Dardafoni me e tërheq përmbarimin. Pasi Telekomi e tërheq vendimin e vet pranë instancave”.
Më pas ai thotë se kjo kontratë duhet të hetohet nga Prokuroria.
“Mirëpo, pasi që Telekomi e heq vendimin e vet. Z-Mobile pas pesë – gjashtë muajve thirret në atë kinse Telekomi nuk po ia ofron shërbimet që duhet t’ia ofrojë sipas kontratës dhe marrëveshjes së vitit 2017 dhe tërhiqet njëanshëm nga marrëveshja, dhe pastaj vazhdon prapë procedurat e përmbarimit. Si menaxhment mendojmë se kjo është një kontratë e cila është më korruptive e pasluftës në Kosovës dhe presim nga institucionet e shtetit që kjo kontratë duhet të rishikohet nga fillimi, të hetohet nga Prokuroria”, ka thënë Krasniqi. “Dëmi është shumë i madh, ky dëm donë drejtësi. Atë mundet me e vendos në vend institucionet përgjegjëse të shtetit. Këtë mund ta bëjnë Prokuroria dhe Gjykatat”.
Tutje Krasniqi ka treguar se nga kjo kontratë Telekomi ka pasur humbje 107 milionë euro.
“Humbjet e Telekomit nga kjo kontratë janë 107 milionë euro për dhjetë vjet. Është kostoja e llogaritur për shërbimet të Z-Mobile 2010-2019, që është 84 milionë euro, tjetër është dënimi në arbitrazh që neve i kemi pësuar prej 31 milionë eurove. Kurse krejt fitimi bruto nga kjo kontratë janë vetëm 8 milionë euro”, ka thënë Krasniqi.