Shkaku i mospjesëmarrjes në votim, nuk ka kaluar në Kuvend rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për menaxhim të pandemisë.
Në sallë të pranishëm kanë qenë 71 deputetë, por në votim kanë marrë pjesë 21 prej tyre.
Deputetë pas votimeve kanë vazhduar debatin.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në emër të grupit parlamentar ka folur për vizitën e Eurodeputetes, Viola von Cramonit në Gjykatën Speciale një ditë pas intervistimit të presidentit Hashim Thaçit. Ajo ka thënë se kjo është ndërhyrje në punë të gjykatës. Ajo po ashtu ka thënë se është befasuese heshtja e BE-së dhe institucioneve të Kosovës në këtë. Deliu-Kodra i ka bërë thirrje Von Cramonit të përqëndrojë energjitë në sfera tjera, si të flaës për gratë e dhunuara dhe vrasjet e bëra nga regjimi i Serbisë në Kosovë. E po ashtu edhe për liberalizim të vizave, pasi Kosova ende mbetet e izoluar.
“Në realitet, si raportuese për Kosovën por edhe si grua, ajo do të duhej të bëhej e zhëshme për vënien e drejtësisë për 20 mijë gratë e vajzat e dhunuara nga forcat e rregullta të ushtrisë e policisë së Serbisë. Për vrasjen makabre të 1230 fëmijëve, përfshirë dhe foshnje të posalindura dhe qindra masakrave që shkaktuan vrasjen e mbi 14 shqiptarëve nga shteti i Serbisë”, ka thënë Deliu-Kodra.
Hajrulla Çeku i LVV-së ka folur për dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe për sipas tij, inferioritetin e Kosovës në këtë dialog karshi Serbisë.
Ndërkohë nga Ilir Tasholli i LDK-së është propozuar rritja e orarit të punës në gastronomi deri në ora 23:00. Me vendimin e Qeverisë gastronomia duhet mbyllur në ora 21:00, si masë parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë. Arbër Tolaj i AAK-së ka thënë se duhet lejuar lëvizja deri në ora 24:00. Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, ka thënë se po bëhet lëvizje në këtë drejtim. Ai ka thënë se dëshiron të di se çfarë të dhëna ka se rritet numri i të infektuarve për dy orë më tepër punë në sektorin e gastronomisë. Ai tha se këtë pyetja ia ka bërë Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse. Ai ka folur edhe për paga shtesë për policët. Ai ka bërë thirrje për rregullim të pagës së policëve.
E Bekim Haxhiu i PDK-së në replikë i ka thënë Tahirit se për sa kanë pasur sukses masat kanë treguar edhe numri i madh i të infektuarve dje. U raportua për 241 të infektuar me COVID-19 dhe gjashtë të vdekur. Ai ka thënë pa ligj anti-COVID nuk mund të luftohet pandemia e shpreson të procedohet së shpejti. Ai madje ka thënë se masat e marra nga dy qeveritë janë anti-ligjore.
Valdete Idrizi e PDK-së ka shprehur shqetësimet për ndërtimet që po bëhen në veri të Kosovës. Ka thënë po bëhet spastrim etnik në mënyrë të heshtur. Ajo ka thënë se ka parë ndërtesat kolektive e shtëpitë që po ndërtohen. Ajo ka thënë se është alarmuese. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë po ashtu se është shqetësuese dhe i ka thënë Komisioni që e ka vizituar këtë pjesë të Kosovës ta përgatisë një raport për të ditur si të procedohet në Kuvend.
Në debat është kërkuar edhe paga shtesë për policinë, që po punojnë me orar të stërgjatur gjatë pandemisë.