Ministri Kuçi: Pa miratimin e tri ligjeve, Kosova futet në kolaps

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka vizituar komunën e Gjilanit ku dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin.

Ministri Kuçi tha se pa votimin e tri ligjeve siç janë: Rishikimi i buxhetit, menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike, Kosova mund të futet në kolaps.

“Kam kënaqësi që jam sot në Gjilan. Janë tri ligje që Qeveria i ka dërguar në Kuvend, Ligji për Rishikim të buxhetit, për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbje ekonomike dhe këto janë ligje të rëndësisë esenciale dhe pa miratimin e këtyre Kosova shumë shpejt do të futet në kolaps. E shfrytëzoj rastin që t’i bëjmë presion Kuvendit që këto të miratohen më shpejt. Ne kemi disa marrëveshje me komunën e Gjilanit që janë me interes për qytetarët e Gjilanit”.

Reklama e sponzorizuar

Kuçi mes tjerash ka thënë se presin edhe funksioninimin e rrjetit të kanalizimit në komunën e Gjilanit.

“Ajo çka është me rëndësi për rrjetin e kanalizimit për Gjilanit presin funksionimin apo hyrjen në zbatim të këtij projekti sepse është me rëndësi jetike për Gjilanin. Jemi në një fazë të mirë edhe për liqenin Artificial në Kamenicë. Kryerja e këtij projekti, vlera e tij është mbi 70 milionë”, u shpreh Kuçi.

Plani për rimëkëmbje ekonomike ka të bëjë kryesisht me 9 masa, me të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërhyhet që të tejkalohet kjo krizë, ka shtuar ministri.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka falenderuar ministrin Kuçi për vizitën.

Haziri ka thënë se lajm i mirë është që impianti për ujëra të zeza është ratifikuar ne Kuvend.

“Sot jam i nderuar që në Gjilan pres ministri Blerim Kuçi, i cili ka ardhur për të parë nga afër gjendjen në komunën tonë në situatë pandemie dhe duke e njoftuar për angazhimet tona. Në këtë rrafsh ne do të gjejmë mbështetje. Impianti i ujërave të zeza është ratifikuar në Kuvend dhe është lajmi më i mirë. Jam i bindur që herën tjetër ministri do të vije me masa dhe mbështetje që është interes i yni i përbashkët”, u shpreh Haziri.