MPJ-ja kërkon 15 nëpunës të rinj, pavarësisht mbingarkesës me staf

Ministria e Punëve të Jashtme ka hapur konkurs për staf të ri, derisa ende nuk ka përfunduar procesin i risistemimit të stafit aktual diplomatik.

Tani thirrja është shpallur për 15 nëpunës në misionet konsullore.

Vendet të cilat Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka identifikuar me rëndësi për të çuar staf të ri, mes tjerash, janë: Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Britania e Madhe, Gjermania e Franca, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Vendet ku do të dërgohet stafi i ri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës;

Republika e Shqipërisë;

Mbretëria e Bashkuar;

Republika Federale e Gjermanisë;

Republika e Francës;

Republika e Italisë;

Konfederata e Zvicrës;

Mbretëria e Suedisë;

Mbretëria e Japonisë;

Arabia Saudite;

Emiratet e Bashkuara Arabe;

Australia;

Republika e Senegalit.

Për shkak të punësimeve të vazhdueshme, shumë misione konsullore janë mbingarkuar me staf përtej nevojave që ekzistojnë.

Sipas një liste që ka siguruar KOHA, vetëm misioni konsullor në Frankfurt të Gjermanisë ka dhjetë punonjës. Prej tyre katër janë diplomatë dhe gjashtë staf vendor. Situatë e ngjashme është edhe në misionet e tjera.

Ndërkaq një i rekrutuar i ri do të duhej t’i kalonte një vit më MPJ para se ta fitonte të drejtën për të aplikuar për gradë diplomatike e pastaj për mision.

KOHA ka pyetur Ministrinë nëse është bërë analizë paraprake për nevojën që të rekrutohet staf i ri, por ka munguar përgjigjja e tyre. Ministria ka zgjedhur heshtjen përballë raportimeve të shumta të KOHËS për punësime e gradime të jashtëligjshme të individëve që kanë lidhje me partitë në pushtet.

Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se konkurset e tilla janë abuzues që u shërbejnë partive për ta mbushur shërbimin me njerëz kinse për shkak të nevojës që nuk është arsyetuar asnjëherë.

Shkelje të shumta ndër vite ka konstatuar edhe Zyra e Auditorit Kombëtar sa u përket punësimit dhe rrotacionit. Në raportin e fundit për këtë dikaster i është rekomanduar ministrit që të iniciojë rishikimin e legjislacionit në lidhje me shërbimin e jashtëm, në mënyrë që të qartësohet saktë procedura e përfundimit të mandatit të përfaqësuesve diplomatikë, përfshirë periudhat kohore të nevojshme dhe çështjet relevante për tërheqjen/risistemimin e stafit diplomatik.

Pas ardhjes në krye të Ministrisë, Meliza Haradinaj ka aplikuar standarde të dyfishta kur ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimeve të paraardhësit, për kthimin e rreth 50 diplomatëve. Ndonëse arsyeja e kthimit ishte qëndrimi i jashtëligjshëm i tyre në misione, Haradinaj ka vendosur që disave t’ua zgjasë qëndrimin e disa t’i kthejë në Prishtinë.