Lidhja Demokratike e Kosovës në ditët në vazhdim do të bëjë përpjekje për takime me partitë politike në vend për të diskutuar rreth zgjidhjeve të mundshme për zgjedhjen e presidentit të vendit, në rast se Hashim Thaçit i konfirmohet aktakuza nga Gjykata e Hagës. Një gjë të tillë për Express e ka konfirmuar lideri i LDK’së, Isa Mustafa, i cili thotë se gjetja e një zgjidhje për punën e presidentit ndërlidhet edhe me procesin e dialogut meqë kërkohet përfshirje më e gjerë në proces. Ndërkohë, Mustafa ka mohuar të ketë pasur ndonjë diskutim për zgjerim të koalicionit qeverisës.
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka konfirmuar se deri më tani nuk ka kurrfarë diskutimesh për mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës, pavarësisht raportimeve të shumta se PDK mund jetë pjesë e mozaikut të ekzekutivit që drejton Avdullah Hoti.
Megjithatë ai thotë se pashmangshëm si drejtues të qeverisë do të diskutojnë me të gjithë, se çfarë zgjidhje do të bëhet për zgjedhjen e presidentit të shtetit, në rast se Hashim Thaçit do t’i konfirmohet aktakuza 10 pikëshe e Prokurorisë së Hagës.
“Për zgjerim te koalicionit nuk kemi biseduar. Por domosdoshmërisht do të bisedojmë se çfarë zgjidhje do të bëjmë për zgjedhjen e Presidentit të vendit, nëse ndodhë që atij i vërtetohet aktakuza para përfundimit të mandatit dhe jep dorëheqje”, ka thënë Isa Mustafa për Gazetën Express.
Kreu i LDK’së ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të ketë edhe përpjekje për takime me të gjithë ata që shprehin gatishmëri, pasi që sipas tij njoftimi për media e Prokurorisë Speciale ka lënduar institucionin e Presidentit të Republikës.
“Institucioni i Presidentit tani është i lënduar me dënimin medial dhe publik që e bëri Prokuroria e Dhomave të Veçanta me bërjen publike të propozimit të aktakuzës. Në ditët në vijim do të bëjmë përpjekje të takohemi, të bisedojmë me të gjithë që kanë vullnet”, ka shtuar ish-kryeministri.
Mustafa ka thënë se gjetja e një zgjidhje për presidentin ndërlidhet edhe me procesin e dialogut, meqë është një proces ku duhet një përfshirje e gjerë.
“Kjo ndërlidhet edhe me procesin e dialogut. Sepse, një proces i tillë kërkon përfshirje më të gjerë , për çfarë duhet të hulumtohen modalitetet”, ka përfunduar Mustafa për Gazetën Express.
Aktualisht Brukseli dhe Washingtoni kanë intensifikuar përpjekjet drejt arritjes së një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Hoti aktualisht është duke e përfaqësuar Kosovën i vetëm në takimet ndërkombëtare, pasi që atij s’mund t’i bashkohet presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka paralajmëruar dorëhqejen nëse i konfirmohet aktakuza e Speciales nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Hoti sot është takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Paris. Më 10 korrik do të jetë pjesë e Samiti virtual të Parisit ku do të marrë pjesë edhe Merkel, derisa më 12 do të udhëtojë për në Bruksel për takim me Aleksander Vucicin.
Ndërkohë nga Washingtoni ende s’ka ndonjë datë të re për takimin që ishte planifikuar të mbahej më 27 qershor.