Ndërgjegjësohen kosovarët, 90 për qind e popullatës po i mban maskat

Kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë (MTI), Lulzim Syla, ka thënë se nga vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reja për parandalimin e COVID-19, inspektorati është duke punuar në terren nga e hëna në të diel gjatë gjithë kohës.

Syla theksoi se kanë inspektuar të gjitha qytetet e mëdha dhe do të vazhdojnë t’i inspektojnë, mirëpo gjatë kësaj kohe siç tha ai ka pasur dhe shqiptim të gjobave, për shkak të mosrespektimit të masave.

“MTI nga data 5 korrik me vendimin që e ka sjell Qeveria e Kosovës, menjëherë Inspektorati ka dal në terren. Me një takim të veçantë që e kemi pas me ministrin, ai ka kërkuar që inspektorati të punoj pa pushim nga e hënë në të diele. Kur kemi dal në terren në qytetet e mëdha, kemi hasur parregullsi, dhe në momentin e parë kemi tërhequr vërejtjen, dhe pas dy tri dite kemi filluar me shqiptimin e gjobave, si në Prishtinë, Vushtrri, Gjakove, Ferizaj, Shtime e në shumë vende tjera”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, edhe pse në nivelin qendror janë vetëm 20 inspektor, ata kanë bashkëpunim shumë të mirë edhe me inspektorët të cilët janë nëpër komunat e Kosovës.

“Në MTI jemi 20 inspektor në nivelin qendror, por kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe me inspektorët e komunave dhe të gjithë së bashku bëjmë inspektimet. Falënderim të veçantë i shkon dhe Policisë së Kosovës. Vet kam vizituar dhe qytetet tjera deri në orët e vona dhe do vazhdoj dhe në qytetet tjera. Për të mirë po e them që 90 për qind e popullatës është duke i mbajtur maskat”, tha ndër të tjera, kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla.