Në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar, me seli në Hagë, pritet të vazhdojë sot intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi u paraqit të hënën atje, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.
Pas më shumë se gjashtë orësh brenda, Thaçi tha se u diskutua për “çështje sqaruese, teknike” dhe për “ato fillestaret të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
Vetë presidenti njoftoi se intervistimi i tij do të vazhdojë të martën.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Përpara se të hynte të hënën në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.
Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.