Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kanë nënshkruar marrëveshjen e kredisë për asistencën makro-financiare me Bashkimin Evropian, në vlerë prej 100 milionë euro.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Financave Hykmete Bajrami, zëvendësguvernatori i BQK-së Sokol Havolli dhe komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.
Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i hapjes së mundësisë së përfitimit nga skema e BE-së edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndihma makro-financiare jepet në ndërlidhje me ndihmën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në prill të vitit 2020 miratoi Instrumentin e Financimit të Shpejtë për Kosovën, në vlerë 51.6 milionë euro.
Kredia do të ndihmojë në planin për rimëkëmbje ekonomike dhe zbatimin e masave emergjente.
Një pjesë e disbursimit varet nga plotësimi i disa kritereve, të cilat Qeveria e Kosovës është zotuar që t’i realizojë me përpikëri, pasi që të njëjtat i ndihmojnë përmirësimin e Administratës Publike në Kosovë dhe rritjes së transparencës. /Ksp/