Për Gjermaninë, marrëveshja gjithëpërfshirëse e domosdoshme

Për stabilitet të përhershëm të rajonit, kërkohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka shkruar të martën Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Twitter, pas takimit të ministrit të Punëve të Jashtme, Heiko Maas me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak.

“Për stabilitet të përhershëm kërkohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme i Kosovës dhe Serbisë. Ky është parakushti kyç për realizimin e perspektivës së BE-së në të dy vendet”, shkruan në postim.

Reklama e sponzorizuar

Maas ka thënë se është mirë që Lajçak ka sjellë moment të ri në dialog dhe ka vënë synime ambicioze.

“Duam përparim të shpejtë për njerëzit në rajon. E ardhmja e Ballkanit perëndimor është në Evropë. BE-ja duhet të ketë rol udhëheqës”, ka thënë Maas.

Lajçak në Berlin, takime për dialogun

Bisedime të detajuara rreth rëndësisë së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë janë mbajtur në Berlin të marten, midis të dërguarit të posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak dhe krerëve në Gjermani.

Lajçak, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në kryeqytetin gjerman është takuar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kryediplomatin Heiko Maas dhe këshilltarin e Merkelit për Politikë të Jashtme, Jan Hecker.

“Pata bisedime të përimtësuara me presidentin Steinmeier, Ministrin e Jashtëm, Heiko Maas dhe këshilltarin e Merkelit për Politikë të Jashtme, Hecker, në Berlin. Fola rreth dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, rëndësisë së dialogut të parë të nivelit të lartë më 12 korrik, pas samitit në Paris më 10 korrik”, ka bërë të ditur përmes një statusi në Twitter.

Të premten në Paris do të zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë. 

Dy ditë më vonë, të dielen, në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që, sipas BE-së, do të shënojë edhe rifillimin e dialogut për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve.