Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të premten se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por jo edhe për ultimatume, duke paralajmëruar se të dielen do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten edhe takimi zyrtar në Bruksel, raportojnë mediet serbe.
“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbise.
Vuçiq ka thënë se do të jenë nën presion të madh dhe njëkohësisht po përballen me “me çasje totalisht joreale të shqiptarëve të Kosovës që duan çdo gjë, e Serbia të mbetet pa asgjë”.
“Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne”, ka shtuar presidenti serb. “Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera.”
Ai shton se nuk mund të thotë se Serbia ishte nën presion nga ana e Macronit dhe Merkelit. Thotë se është përpjekur që sot në mënyrë të guximshme, racionale e pragmatike të përgjigjet në kërkesat dhe “listën e dëshirave të bukura” të palës shqiptare, ndërsa beson se Merkel dhe Macron këtë e kanë kuptuar.
“Do të jemi të detyruar të bisedojmë, por nuk është e lehtë të bisedohet me dikë që jeton jashtë realitetit. Kur thonë se e kanë për qëllim të anulojnë Rezolutën 1244, ne pyesim se ku është aty interesi serb, ata thonë ‘ne nuk e dimë’…Sido që të jetë, nuk na pret kohë e lehtë, por do të luftojmë dhe do ta ruajmë vendin”.
Video-samiti për Kosovën, organizatorët e të cilit ishin presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, është mbajtur sot. Në Samit kanë marrë pjesë edhe i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.