Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.
Në këtë seancë u votua për shmangie të procedurës së rregullt, ndërsa shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët po diskutojnë rreth këtij Projektligji.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në hyrje të seancës ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë Projektligjin në lexim të dytë.
“Për shkak të krizës që ka shkaktuar pandemia edhe shëndetësore dhe ekonomike, rishikimin e buxhetit e kemi sjellë në kuvend më datën 19 qershor prej atëherë ka kaluara një kohë e gjatë edhe pse i kuptojnë vështirësitë e organizmit të seancave për shkak të disa rasteve pozitive që ka pasur edhe nga deputetët. Mirëpo qe një kohë është bërë e pamundshme implementimi i masave dhe dala në ndihmë nga e Qeverisë qoftë për sektorin publik, qoftë për sektorin privat andaj, edhe kemi parë të arsyeshme që të thirret kjo seancë e jashtëzakonshme. Meqenëse komisionet funksionale kanë përfunduar krejt punën për rishikim të buxhetit të votohet sot buxheti në lexim të dytë, në mënyrë që të zbatojmë masat e më hershme por edhe programin për rimëkëmbje ekonomike por edhe për investimet ekstra që janë paraparë në sektorin e shëndetësisë”, theksoi Bajrami.
Lidhur me këtë, ka pasur diskutime lidhur me përkrahjen apo jo të këtij rishikimi të buxhetit.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si pjesë e Qeverisë kanë përkrahur këtë rishikim, po ashtu edhe nga ana e opozitës, përkrahje i ka dhënë edhe Partia Demokratike e Kosovës, kurse Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se është kundër.
Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi ka thënë se në situatën në të cilën gjendemi shkaku i pandemisë COVID-19, rishikimi i buxhetit është i domosdoshëm.
“Masat e marra për luftimin e pandemisë COVID-19, kanë shkaktuar rënie të aktivitetit ekonomik në vend, e kjo po reflektohet në të hyrat e buxhetit të vendit dhe ne një situatë të vështirë ekomomike që po ballafaqohet veçanërisht sektori privat. Rishikimi i buxhetit është bërë i domosdoshëm që të mund të sigurojmë stabilitet buxhetor të vendit, dhe të kemi reagim adekuat në kërkesat e kohës kur po ballafaqohemi je pandeminë edhe krizën ekonomike”, tha Abrashi.
Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se PDK do të votojë pro buxhetit të Kosovës për vitin 2020.
“Më mirë është ta përkrahim buxhetin se mos ta përkrahin. Në emër të PDK-së do ta përkrahim buxhetin, kemi konsistencë në këtë pikë. Duke pa situatën, nevojat e vendit, nevojat e qytetarëve si dhe te bizneseve do ta përkrahim Buxhetin e Kosovës”, ka thënë Hamza.
Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se VV-ja ka dy kërkesa për votimin e buxhetit në lexim të dytë.
Ai tha se edhe pse Komisioni për Legjislacion ka thënë se Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020 nuk bie ndesh me asnjë ligj, VV konsideron se ky Projektligj bie në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Kushtetutën.
Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.
Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.
Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh. /Telegrafi/