Pula e quan politikë të keqe e të mbrapshtë idenë për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Sociologu Besnik Pula e ka quajtur politikë të keqe e të mbrapshtë idenë që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e 10 për qind e kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Sipas tij, ideja që të tërhiqen paratë nënkupton që tash të bëhesh pak më i pasur e të varfërohesh në pleqëri.

“Nëse ka politikë më të keqe dhe më të mbrapshtë për përballjen me krizën ekonomike të Covid-19, është pikërisht kjo. Tërheqja e kursimeve dhe humbja e dividendave domethënë se si qytetar bëhesh pak më i pasur tani për t’u bërë shumë më i varfër në pleqëri. Humbja është edhe më e madhe sepse kapitali tërhiqet pikërisht kur tregjet janë në gjendje të dobët dhe kur Trusti tashmë i ka humbur mbi 50 milionë euro në vlerë”, ka thënë ai në një postim në Facebook, si reagim pas takimit të kryeministrit Avdullah Hoti me BQK-në e krerët e Trustit, ku kërkoi përshpejtim të procesit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas mësimdhënësit në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin “Virginia Tech” në SHBA, premtimi i Qeverisë që do të rimbursojë paratë e tërhequra vetëm do të nxisë qytetarët të tërheqin sa më shumë para. E ka quajtur “premtim nonsens në pikëpamje ekonomike”.

Madje, qeveria premton riimbursime për paratë e tërhequra që është vetëm nxitje për qytetarët të tërheqin sa më shumë para, për një premtim nonsens në pikëpamje ekonomike. Sepse atë shumë që qeveria e Kosovës premton ta riimbursojë në të ardhmen shumë më lehtë dhe shumë, shumë më lirë do ta merrte vetë hua. Fjala është për deri në 200 milionë euro (~10% e vlerës së Trustit) që hiqen nga kursimet sot dhe që duhet të rimbursohen në të ardhmen. E shprehur në një aritmetikë të thjeshtë, qeveria merr 200 milionë borxh nga qytetarët me humbje që për një dhjetëvjeçar shkojnë deri në 200% të vlerës së borxhit, në vend se t’i investojë 200 milionë euro nga Trusti në bono shtetërore, t’u paguajë qytetarëve 2-3% kamatë në vit për të njëjtën periudhë, dhe ato para t’i shfrytëzojë për stimulim të ekonomisë pa nevojë që qytetarët t’i djegin kursimet e tyre të pleqërisë”, ka thënë tutje Pula.

Pula ka thënë se po e sheh një të mirë në këtë nismë.

“Vetëm një të mirë e shoh nga kjo, që ndoshta në perspektivë një masë e tillë do të jetë një goditje politike për një sistem pensional të dezajnuar për financierë e jo për pensionerë, dhe zëvendësimin e tij me një sistem që gjen bazë në solidaritet shoqëror e jo në kursime individuale. Sido që të jetë, deri atëherë çmimi do të jetë tepër i lartë për kursimtarët, për ekonominë dhe për financat publike të vendit”, ka përfunduar ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se iniciativa për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e dhjetë për qind të kursimeve të tyre bëhet “me qëllim që të zbuten pasojat në ekonominë familjare si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit”.