Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ketë koordinator nacional për zbatimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.
“Në mënyrë që të implementojmë aktivitetet dhe obligimet është e nevojshme që të caktohet koordinatori nacional”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Zv.kryeministri Besnik Tahiri ka arsyetuar nevojën e të pasurit koordinator.
Disa të tillë ishin emëruar në Qeverinë Haradinaj për çështje të caktuara, por me ardhjen e Qeverisë Kurti ata ishin pushuar dhe vendet e tyre të punës ishin shuar. Javën e kaluar, kryeministri Avdullah Hoti vendosi të emërojë koordinator edhe për dialogun me Serbinë, gjë që u kritikua nga shoqëria civile.
Tash në Qeverinë Hoti, sërish ka koordinatorë.
“Mendoj që duhet të theksohet një çështje. Nuk jemi duke folur më për koordinator nacional që kanë qenë në qeverinë e kaluar. Nuk po flasim për një strukturë paralele, por për një strukturë shumë të nevojshme”, ka thënë Tahiri.
Qeveria shpronëson disa prona në funksion të interesit publik
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 14-të, të martën, ka shpronësuar disa prona.
Fillimisht është miratuar kërkesa për shpronësim për interes publik të objekteve të cilat menaxhohen nga AKP-ja, e të cilat preken nga realizimi i projekteve si ndërtimi i parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimin e çerdhes së fëmijëve si dhe këndi për të moshuarit në fshatin Studentçan në Komunën e Suharekës.
Ministri i Ambientit, Blerim Kuçi ka prezantuar kërkesat edhe për shpronësimin e pronës e cila preket nga restaurimi dhe konzervimi i objektit Shtabi i UÇK-së në Kosterc, Skenderaj si dhe atë që preket nga ndërtimi i “shiritit për rreshtim” për hyrje në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka proceduar për në Kuvend opinionin lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka dy vjet që është dërguar në Kuvend për lexim të parë.