Raporti i Komisionit Europian: Shqipëria e vetmja në rajon me rënie në tremujorin e parë, ka hyrë në recesion të thellë

Shqipëria rezulton se po vuan më shumë nga kriza e shkaktuar nga Covid-19, në krahasim me vendet e tjera.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, që publikohet një herë në tre muaj, në tremujorin e parë, Shqipëria ishte e vetmja që rezultoi me rënie reale prej 2.5% me bazë vjetore, ndërsa shtetet e tjera panë ngadalësim të rritjes. Maqedonia e Veriut kishte një rritje minimale prej 0.2%, Kosova me 1.3%, Mali i Zi me 2.7%, Bosnja me 2%. Rritjen më të lartë e shënoi Serbia me 5%, ndonëse me ngadalësim në raport me tremujorin e mëparshëm.

Efektet e krizës së Covid-19 në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor u bënë të dukshme që në tremujorin e parë 2020, thuhet në raport, me rritjen e Ballkanit që u ngadalësua në 2.5%, nga 4.3% në tremujorin e mëparshëm.

Reklama e sponzorizuar

“Ngadalësimi u nxit kryesisht nga një recesion i thelluar në Shqipëri dhe një ngadalësimi në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Konsumi privat mbeti shtytësi kryesor i rritjes, por investimet treguan një ecuri të kombinuar, duke shënuar rënie me bazë vjetore në disa vende. Krijimi i vendeve të punës vazhdoi edhe në tremujorin e parë, megjithëse me ritme më të ngadalta se më parë, dhe nivelet e papunësisë, megjithëse ende relativisht të larta, ishin në rënie në shumicën e vendeve. Stimuli fiskal i shoqëruar me një rënie të madhe të të ardhurave rezultoi në zgjerimin e deficiteve buxhetore në rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë muajt e parë, ndërsa raporti i borxhit publik-ndaj PBB-së u rrit në disa vende në krahasim me fundin e 2019 “.

Për Shqipërinë, raporti thekson se vendi ka hyrë në recesion të thellë, pas tkurrjes me 0.1% në tremujorin e fundit 2019 dhe rënies prej 2.5% në tre muajt e parë 2020.  Investimet ranë me 16.7% me bazë vjetore në tremujorin e parë, pas tkurrjes me 12% në të katërtin. Eksportet si të shërbimeve ashtu dhe mallrave ranë me 2.1% me bazë vjetore, në kontrast me tendencën e fortë rritëse në dy tremujorët e mëparshëm. Konsumi privat mbetet i ndrydhur.

Tkurrja në tremujorin e parë u udhëhoq nga ndërtimi, që kontribuoi në gjysmën e rënies. Me përjashtim të bujqësisë dhe aktiviteteve të pasurive të patundshme, prodhimi ekonomik u tkurr në të gjithë sektorët, duke reflektuar ndikimin e hershëm të pandemisë në mars. Tregu i punës shënoi rënie, të lehtë në tremujorin e parë, në raport me të mëparshmin, duke treguar shenjat e para që pandemia do të ketë në punësim. Humbja më e lartë e vendeve të punës ishte në shërbime, kryesisht në sektorin e bareve e restoranteve.

Sipas raportit, mbështetja e qeverisë për bizneset dhe individët është 45 miliardë lekë, ose 2.8% e Prodhimit të Brendshëm bruto. Qeveria pret një tkurrje ekonomike prej 4% dhe në ndryshimin e buxhetit vlerëson se borxhi publik do të arrijë në 80% të PBB-së në fund të 2020-s, nga 75% që ishte parashikimi në muajin prill.

Burimi: KE