Rikthimi i disa masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Kosovë, do të vazhdojë me humbje të mëdha për ekonominë e vendit, duke bërë që shumë të punësuar të humbin vendin e tyre të punës dhe bizneset të shkojnë drejt falimentimit, thonë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë.
Rritja e numrit të rasteve të reja me Coronavirus në Kosovë gjatë dy javëve të fundit, ka rikthyer disa nga masat për parandalimin e pandemisë.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 3,508 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,531 vazhdojnë të jenë raste aktive. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 330 raste me Coronavirus dhe 17 raste të vdekjeve.
Në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri, ku ka numër më të madh të të infektuarve, është kufizuar tërësisht lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Po ashtu, në gjithë territorin e Kosovës gjatë këtij orari mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë.
Por, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se rritja e rasteve duhet të parandalohet me vetëdijesim dhe jo me mbyllje të bizneseve apo kufizim të lëvizjeve.
“Vetëdijesimi mund të bëhet. Nëse nuk kuptohet nga mesazhet apo komunikimi që po bëhet përmes fushatave atëherë të kalohet në ndëshkime për gjithë ata që nuk respektojnë masat parandaluese. Fuqishëm bëj thirrje në vend që të themi të mbyllet një sektor në tërësi të mbyllen ato biznese që nuk respektojnë masat parandaluese”, thotë Rukqi.
Në anën tjetër, Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekonomia e Kosovës nga rikthimi i masave për parandalimin e Coronavirusit do të vazhdojë me humbje të mëdha, të cilat vështirë se mund të sanohen në një periudhë të shkurtër.
“Nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se ekonomia e Kosovës ka shenja të shënojë rënie deri në minus 7 për qind, nëse kjo situatë shtrënguese ekonomike vazhdon, atëherë kjo rënie ekonomike mund të kalojë 10 për qind dhe do të jetë e vështirë që ekonomia e Kosovës të hyjë në binar”, thotë Sadiku.
Edhe Shoqata e Gastronomeve në Kosovë ka reaguar lidhur me masat e reja të qeverisë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se lojë me jetë njerëzish nuk ka, mirëpo nuk duhet të lejohet as dallime te bëhen në mënyrat si kanë qenë deri më tani. Shtrohet pyetja se a është përhap virusi deri sot në lokalet që janë hapur pas lirimit të masave a ka dëshmi. Pastaj jemi dëshmitarë të asaj që masat e marra deri me sot janë anti-njerëzore dhe anti-kushtetuese”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë prekur ekonominë e Kosovës.
Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomeve, njëherësh pronar i një klubi të natës në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë bërë ndonjë kalkulim se sa mund të kenë qenë humbjet që i janë shkaktuar biznesit të tij apo edhe bizneseve anëtare të Shoqatës së Gastronomeve, por që sipas tij, këto humbje financiare po vazhdojnë.
“Punëtorët janë duke e pësuar më së shumti. Vetëm në lokalin tonë kemi të punësuar 100 punëtorë të cilat nuk janë në gjendje të mirë ekonomike. Ndoshta nuk kanë paga shumë të mira, por me ato paga ata jetojnë dhe veprojnë. Ne si biznese jemi në rrugë të falimentimit. Ne jetojmë nga kjo punë, nëse nuk merren masa të shpejta të lirimit ne do të shkojmë drejt një kolapsi ekonomik, pasi që humbjet edhe nëse fillohet me punë do të jenë evidente”, thotë ai.
Në sektorin e gastronomisë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2018, rezultojnë se punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara.
Nëse vazhdohet mbajtja e masave, humbjet kalojnë mbi 1 miliard euro.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Radion Evropa e Lirë se rikthimi i masave do të dëmtojë edhe më shumë ekonominë dhe se humbjet nëse vazhdojnë kështu do të jenë mbi 1 miliard euro.
Ai thotë se qytetarët duhet të respektojnë masat mbrojtëse. Rikthimi i masave për parandalimin e COVID-19, sipas tij, do të rriste problemet ekonomike dhe sociale ne vend.
“Ende është herët të vlerësojmë se shtimi i masave çfarë ndikimi do të ketë në ekonomi, por sigurisht se do të jetë negativ. Nisur nga fakti se nga fillimi i pandemisë në mars humbjet mund të vlerësohen se kanë qenë mbi 700 milionë euro dhe këto humbje shteti nuk po arrin t’i mbulojë, nëse vazhdon ky trend Kosova do të ketë humbje mbi 1 miliardë euro”, thotë ai.
Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e Coronavirusit në ekonominë e Kosovës janë të zymta.
Banka Botërore në një raport të saj të publikuar në mars kishte paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë, nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.