Rreth 12 deri në 13 për qind e 600 personave që janë testuar me metodën serologjike në Prishtinë kanë rezultuar pozitivë në COVID-19. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet, Bujar Gashi. Ai ka thënë se janë duke i bërë rreth 100 teste në ditë dhe janë duke testuar persona bazuar në rekomandimet për testim të mjekëve familjarë. Në mesin e të testuarve ka thënë se ka persona që kanë pasur simptoma të COVID-19 për një periudhë prej një javë dhe që dyshojnë se janë të infektuar, si dhe persona që e kanë kaluar COVID-19. Mirëpo, ai ka thënë se ende nuk kanë ndonjë ndarje se sa prej të testuarve i takojnë secilës prej këtyre kategorive. Ka thënë se këto të dhëna do t’i publikojnë më vonë.
“Një pjesë e pacientëve që janë me probleme dhe kanë mbi 7 ose 8 ditë simptoma jemi duke i testuar me metodën serologjike, afërsisht deri më tani kemi kryer rreth 600 testime serologjike, do të thotë kapaciteti ditor është 100 testime, po presim që ditëve dhe javëve në vazhdim ta shtojmë numrin e testimeve, si të qytetarëve ashtu edhe numrin e testimeve për hulumtime që i kemi planifikuar”, ka theksuar Gashi.
Ai ka thënë se pozitivë deri më tani kanë dalë rreth 12-13 për qind e mostrave. “Afërisht, në bazë të tyre sa kanë rezultuar deri më tani, 12-13 për qind e rasteve të cilat janë testuar dalin të jenë pozitive, që kanë kaluar COVID-19, prej rasteve të cilat janë testuar deri më tani”, ka deklaruar Gashi.
Drejtori Gashi ka theksuar edhe se nuk është bërë ende ndarje dhe statistika se sa prej të testuarve kanë qenë që e kanë kaluar COVID-19 dhe sa kanë qenë pacientë që nuk janë testuar më herët për COVID-19. Ai ka folur edhe për mënyrën e përzgjedhjes së atyre që testohen.
“Sipas asaj që kemi theksuar edhe herëve të tjera, pacientët që kanë simptoma dhe dyshojnë që janë të infektuar me COVID-19 ose kanë kaluar COVID-19 lajmërohen te mjeku familjar në Qendrat e Mjekëseve Familjare dhe është mjeku ai që vendos për rëndësinë e testimit, sa është e domosdoshme dhe e nevojshme dhe sa shkon në favor të pacientit testimi me testin serologjik, i cili udhëzohet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për t’u futur në listë për testim serologjik”, është shprehur Gashi.
Sipas tij, deri në fund të javës së ardhshme, do të fusin në funksion edhe aparaturat e reja dhe do të rrisin numrin e këtyre testimeve.
Para se Prishtina të niste testimin serologjik, të gjitha testet në Kosovë janë kryer me metodën PCR, që llogaritet një nga metodat më të sakta. Por, javën që shkoi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka nënshkruar një udhëzim administrativ, i cili u ka hapur rrugë edhe testimeve rapide serologjike.