Rukiqi për gjendjen e jashtëzakonshme: Mbyllja e bizneseve na dërgon në kataklizëm ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përmes një postimi në Facebook ka reaguar rreth mundësisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se mbyllja e bizneseve na dërgon në kataklizëm ekonomik.

Sipas tij këto masa nuk duhet të merren në kurriz të ekonomisë.

“Çdo gjendje e jashtëzakonshme që përfshinë mbyllje të bizneseve do të jetë fatale për ekonominë. Nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet për të mundësuar masa më të rrepta në luftën me pandeminë, atëherë këto masa të mos ndërmerren në kurriz të ekonomisë në tërësinë e vet. Masat duhet të ndërmerren ndaj atyre bizneseve që nuk respektojnë rregullat dhe masat parandaluese”, ka shkruar Rukiqi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij duhet të vendoset moratorium në çdo obligim që bizneset kanë ndaj palëve të treta.

“Çdo dekret/ligj për gjendjen e jashtëzakonshme duhet të përfshijë zbatimin obligativ të dispozitave të forcës madhore në marrëdhëniet kontraktuale në raportet e biznesit me bizneset e tjera, të biznesit me bankat, të biznesit me organet shtetërore”, ka shkruar Rukiqi.