SHBA-të sot shënojnë 244 vjetorin e Pavarësisë

Shtetet e Bashkuara sot e shënojnë Ditën e Pavarësisë. Më 4 korrik 1776, delegatët e 13 kolonive të atëhershme e kishin miratuar Deklaratën e Pavarësisë, e cila dy ditë më parë ishte votuar nga Kongresi Kontinental dhe ishte hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson.

Kur kishin filluar betejat e para të Luftës Revolucionare në prill të vitit 1775, pak kolonistë dëshironin pavarësi të plotë nga Britania e Madhe, ndërsa ata që e kërkonin këtë cilësoheshin si radikalë.

Megjithatë, rreth mesit të vitit pasues, shumë më shumë kolonistë e përkrahën pavarësinë pas rritjes së armiqësisë me Mbretërinë e Bashkuar dhe shtimit të qendrimeve revolucionare.

Reklama e sponzorizuar
Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara

Më 7 qershor 1776, kur Kongresi Kontinental ishte mbledhur në Shtëpinë Shtetërore të Pensilvanisë, delegati i Virgjinias, Richard Henry Lee, e kishte nisur një mocion me të cilin bëhej thirrje për pavarësinë e kolonive.

Pas debatit të ashpër, Kongresi e kishte shtyer votimin e rezolutës së këtij delegati, por e kishte caktuar një komision prej pesë anëtarësh, që do ta hartonte qëndrimin zyrtar me të cilin do të justifikohej ndarja nga Britania, shkruan History.com, transmeton Gazeta Express.

George Washington – Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të rezolutës së delegatit Lee në mënyrë pothuajse unanime. Delegacioni i Nju Jorkut fillimisht kishte abstenuar, por më vonë e kishte ofruar përkrahjen për rezolutën e pavarësisë.

Më 4 korrik, Kongresi Kontinental zyrtarisht e miratoi Deklaratën e Pavarësisë, e cila në pjesën më të madhe u shkrua nga Jefferson. Ndonënse procesi i votimit kishte ndodhur më 2 korrik, 4 korriku u bë datë e festimit të pavarësisë.

Fuqia e Shteteve të Bashkuara – Shteti i parë në shumë fusha

Shtetet e Bashkuara konsiderohen si vendi më u fuqishëm i botës. Ato prijnë në shumë aspekte, duke filluar nga ndikimi politik deri te fuqia ushtarake.

Kur bëhet fjalë për shpenzimet ushtarake, Shtetet e Bashkuara ndodhen bindshëm në vendin e parë në botë. Vitin e kaluar, buxheti i ushtrisë amerikane ishte 732 miliardë dollarë ose 38 për qind e shpenzimeve globale për ushtri. Ky buxhet ishte për 5.3 për qind më i lartë se ai i vitit 2018 dhe vetëm kjo rritje kishte vlerë të barabartë me tërë buxhetin ushtarak të Gjermanisë për vitin 2019.

Ushtarët amerikanë duke hipur në një aeroplan të Forcave Ajrore

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë edhe për eksportimin e armëve. Nga viti 2015 deri në vitin 2019, ShBA-ja shiti 76 për qind më shumë armë se Rusia, që është në vendin e dytë. 96 shtete blejnë armë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Arabia Saudite ka blerë më së shumti armë nga ShBA-ja.

ShBA-ja mbizotëron edhe në fushën e hulumtimeve shkencore dhe shpenzon më së shumti në botë në këtë aspekt. Në vitin 2017, për hulumtime shkencore u shpenzuan 543 miliardë dollarë. Shkencëtarët amerikanë e publikojnë numrin më të madh të punimeve në revistat shkencore.

Shtetet e Bashkuara janë shteti i parë në botë për shpenzimet në kujdesin shëndetësor. Mesatarisht mbi 10,000 dollarë për kokë banori shpenzohen në këtë aspekt.

Gazeta “The New York Times”, një ndër më prestigjiozet në botë

Shtetet e Bashkuara e mbizotërojnë edhe tregun mediatik. Mediet amerikane në vitin 2018 kishin vlerë të përgjithshme prej 678 miliardë dollarësh apo gati sa një e treta e vlerës botërore të medieve.

ShBA-ja është vendi ku jetojnë më së shumti miliarderë në botë. Sipas revistës “Forbes”, në këtë shtet jetojnë 614 miliarderë, përfshirë njeriun më të pasur në botë, Jeff Bezos. Kina është e dyta me 389 miliarderë.

Shtetet e Bashkuara prijnë në hulumtimet e hapësirës dhe aviacionit. ShBA-ja këtë vit e realizoi fluturimin e parë komercial në hapësirë me anijen kozmike SpaceX.

E para në botë për prodhimin e gazit natyror. Në vitin 2009, ShBA-ja ia zuri vendin e parë Rusisë për prodhimin e gazit natyror. Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara prodhuan 866 miliardë kubikë metër gaz natyror.

Shtetet e Bashkuara janë të parat në botë edhe për prodhimin e naftës. Para fillimit të pandemisë, në këtë shtet prodhoheshin 17.9 milionë fuçi nafte në ditë, më shumë se në Arabinë Saudite dhe në Rusi.

ShBA-ja është fuqia më e madhe botërore për prodhimin e energjisë bërthamore. Atje prodhohet 30 për qind e sasisë globale të kësaj energjie. Vitin e kaluar, reaktorët amerikanë prodhuan 809 miliardë kilovatë energji elektrike. Kjo industri vlen 37.2 miliardë dollarë dhe në të janë të punësuar gati 100,000 persona. /Express/