Derisa vendet në gjithë botën janë ende duke luftuar me koronavirusin, shkencëtarët paralajmërojnë për rrezikun e një virusi tjetër me “potencial pandemik”, që është shfaqur në Kinë midis derrave dhe njerëzve që punojnë me derra, shkruajnë mediat botërore.
Ato vënë në pah se nuk është regjistruar ndonjë transmetim i formës së re të virusit të gripit të derrit te njerëzit, por thonë se ekziston rreziku i mutacioneve të tij të mëtejshme, që mund të çojnë në përhapje globale.
Virus G4
Një studim i ri shkencor paralajmëron se forma e re e gripit H1N1 po përhapet në heshtje në mesin e punëtorëve të fermave të derrave në Kinë dhe se ajo duhet të vihet “urgjentisht” nën kontroll, për të shmangur një pandemi tjetër, shkruan New York Times.
Forma e re e virusit G4 EA H1N1 është e pranishme në fermat kineze të derrave që nga viti 2016 dhe riprodhohet në organet e frymëmarrjes te njerëzit, thuhet në një studim të publikuar më 29 qershor në revistën shkencore amerikane PNAS (Proceedings of the National Academy of Science).
Deri më tani, shkruan New York Times, virusi është gjetur në disa njerëz pa shkaktuar sëmundje, por ekspertët e shëndetit kanë frikë se kjo gjë mund të ndryshojë.
Varianti euro-aziatik i H1N1 ka qarkulluar në mes të derrave në Evropë dhe Azi për dekada, thotë studimi, por paraqitja e virusit G4 te derrat në Kinë, me simptoma në frymëmarrje, është intensifikuar që nga viti 2014 dhe të dhënat sugjerojnë se ky virus paraqet një problem në rritje në të gjitha fermat. Qarkullimi i gjerë thuhet se do të rrisë edhe ekspozimin e njeriut ndaj virusit.
Duke cituar shkencëtarët, New York Times shkruan se hapi kryesor është të përcaktohet nëse ndonjë nga punëtorët e fermave të derrit e ka marrë virusin nga njerëzit e tjerë.
H1N1 është shumë i transmetueshëm dhe ka shkaktuar një pandemi në vitin 2009 me një normë relativisht të ulët të vdekshmërisë, prej rreth 0.02 për qind, shkruan gazeta amerikane.
Për krahasim, në vitin 1918, shkalla e vdekjes nga pandemia e gripit, e cila po ashtu është shkaktuar nga H1N1, ka qenë rreth 2.5 për qind, me rreth 50 milionë njerëz të vdekur.
Studimi, i botuar në revistën PNAS, bazohet në monitorimin e derrave në 10 provinca kineze, nga viti 2011 deri më 2018.
Në tre vjetët e fundit, studiuesit kanë marrë mostra nga 15 ferma të derrave dhe nga 230 njerëz. Është zbuluar se 10.4 për qind e punëtorëve dhe 4.4 për qind e të tjerëve [familjarëve] kanë qenë pozitivë me G4 EA H1N1 dhe se virusi ka qenë më i pranishëm te punëtorët e moshës 18 deri në 35 vjeç – 20.5 për qind.
Studimi është dërguar për rishikim në fillim të dhjetorit, disa javë përpara shpërthimit të koronavirusit në Vuhan të Kinës, që ka tërhequr vëmendjen e botës.
Potenciali pandemik
Shkencëtarët në studimin e ri thonë se virusi i ri i gripit të zbuluar në Kinë ka potencialin të jetë ngjitës të njerëzit dhe se duhet të monitorohet me kujdes në rast se bëhet virus i mundshëm pandemik, edhe pse ekspertët thonë se nuk ekziston ndonjë kërcënim i menjëhershëm, shkruan Reuters.
Studimi në PNAS tregon për rrezikun e viruseve që kalojnë pengesat për transmetim te njerëzit, veçanërisht në zonat me popullsi të dendur të Kinës, ku miliona jetojnë pranë fermave, thertoreve dhe tregjeve të lagështa, shkruan Reuters, për të shtuar se koronavirusi aktual –nga i cili besohet se janë infektuar më shumë se 10.3 milionë njerëz në botë dhe kanë vdekur mbi 500,000 – ka origjinën nga një specie e lakuriqit në jugperëndim të Kinës dhe se mund të jetë transmetuar te njerëzit përmes një tregu të ushqimeve të detit në Vuhan.
Autorët e studimit thonë se punëtorët në fermat e derrave kanë pasur nivele të larta të virusit në gjak dhe vënë theksin te monitorimi i kujdesshëm i popullatës, veçanërisht i punëtorëve të industrisë së derrave.
“Kina po monitoron nga afër zhvillimet në këtë drejtim. Ne do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen dhe infeksionin me virusin e ri”, tha më 30 qershor një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Studimi në PNAS thotë se derrat konsiderohen “mikserë” të rëndësishëm për gjeneratat e viruseve pandemike të gripit dhe bën thirrje për monitorim të vazhdueshëm të problemit, shkruan Reuters, duke shpjeguar se virusi i ri është një rikombinim i variantit H1N1 nga viti 2009 dhe formës së dikurshme mbizotëruese në derra.
Përshtatshmëria e virusit të ri
Sipas BBC-së, studiuesit druajnë se virusi i ri me “potencial pandemik” mund të pësojë mutacione të mëtejshme, në mënyrë që ai të transmetohet më lehtë nga njeriu në njeri, gjë që mund të çojë në përhapje globale.
Forma e re e gripit është ndër kërcënimet më të mëdha infektive që ekspertët po monitorojnë, derisa bota po përpiqet të luftojë pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, shkruan BBC, duke vënë theksin te paralajmërimi nga studimi se virusi i ri nuk është problem urgjent, porse bart “të gjitha shenjat” e një virusi shumë të adaptueshëm që mund të infektojë njerëz.
Pandemia e fundit e gripit në vitin 2009 ishte më pak vdekjeprurëse sesa parashikimet fillimisht, pjesërisht sepse shumë të moshuar kishin imunitet dhe ndoshta sepse ishte e ngjashme me viruset e tjera që kanë qarkulluar në vitet paraprake, shpjegon BBC dhe shton se ai virus, i quajtur A/H1N1pdm09, është mbuluar me vaksinën vjetore të gripit.
Edhe pse vaksina aktuale e gripit nuk duket se mbron kundër formës së re të G4, është e mundur që ajo të adaptohet sipas nevojës, shkruan shërbimi britanik.
Kin-Chow Chang, i cili punon në Universitetin Nottingham në Britaninë e Madhe, i tha BBC-së se bota tani është e preokupuar me koronavirusin, porse “nuk duhet humbur vëmendja ndaj viruseve të reja, potencialisht të rrezikshme”.
Kontroll i shtuar i derrave
Pas pandemisë së gripit të derrave në vitin 2009, e cila, sipas vlerësimeve të ndryshme, ka vrarë midis 150,000 dhe 575,000 njerëz në të gjithë botën, autoritetet dhe shkencëtarët kanë rritur mbikëqyrjen e derrave, në kërkim të viruseve me “potencial pandemik”, shkruan CNN.
Studiuesit nga disa institucione shkencore kineze, në kuadër të një programi të monitorimit të derrave nga viti 2011 deri më 2018, kanë marrë më shumë se 30,000 mostra dhe kanë identifikuar 179 viruse të gripit të derrit.
Por, sipas CNN-it, jo të gjithë kanë shkaktuar shqetësim, pasi disa janë shfaqur vetëm gjatë një viti.
G4, megjithatë, është shfaqur nga viti në vit dhe ka treguar rritje të mprehtë midis derrave që nga viti 2016.
Testet kanë treguar se G4 mund t’i infektojë njerëzit dhe të shumëfishohet me shpejtësi në qelizat e sistemit të frymëmarrjes. CNN thekson se, edhe pse virusi i ri ka gjene të H1N1, njerëzit që kanë marrë vaksinën e gripit sezonal, nuk kanë imunitet ndaj tij.
Sidoqoftë, nuk ka prova se G4 mund të përhapet nga një person në tjetrin, gjë që është një shenjë inkurajuese, thotë Carl Bergstrom, biolog nga Universiteti i Uashingtonit.
“Nuk është një virus ‘i ri’; ka qenë shumë i zakonshëm në mesin e derrave që nga viti 1916”, shkroi Bergstrom në Twitter. “Nuk ka asnjë të dhënë që G4 po qarkullon mes njerëzve, pavarësisht ekspozimit të gjerë për pesë vjet”, shtoi ai.
Gripi i derrit shfaqet te personat që janë në kontakt me derrat e infektuar dhe simptomat janë të ngjashme me gripin e zakonshëm: ethe, përgjumje, mungesë oreksi, kollë, rrjedhje e hundës, dhimbje e fytit, të vjella dhe diarre.
Pas vitit 2009, virusi H1N1 te njerëzit është kthyer te derrat dhe, shkruan CNN, gjenet janë përzier në kombinime të reja, duke krijuar viruse të reja si G4.