Numri i viktimave të COVID-19 në Kosovë ka mbërritur në 111.
E të infektuar që po trajtohen në QKUK dhe 7 spitale të vendit, sipas të dhënave të fundit, janë gjithsej 306 pacientë.
Prej tyre, 217 janë me oksigjeno-terapi dhe 11 të intubuar.
Në Klikën Infektive, ku edhe është numri më i madh i pacientëve që po trajtohen, gjithsej 96, 60% e tyre janë në oksigjeno-terapi.
5 nga pacientët janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, në një konferencë për media, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka njoftuar se edhe spitali i Vushtrrisë do të shfrytëzohet vetëm për pacientët e prekur me COVID-19.
Gjatë së martës kanë filluar punën edhe 50 mjekë dhe 62 infermierë, duke përfshirë këtu edhe laborantë dhe mikrobiologë.
Një pjesë e tyre do të shërbejnë në QKUK dhe pjesa tjetër nëpër spitale rajonale.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë duke u testuar rreth 400 mostra të marra në SHSKUK dhe nga gjurmimi i rasteve në terren, por rezultatet e tyre do të bëhen të ditura të mërkurën, në orën 15:00.
MSH-ja thotë se tash e tutje rezultatet do të bëhen të ditura çdo ditë në orën 15:00.