Me Qeverinë e re është kthyer avazi i emërimeve të personave politikë nëpër borde të ndërmarrjeve publike.
Ndonëse i përkohshëm, Qeveria ka emëruar bordin e ri të Telekomit me kryesues Mehmet Berishën, që ishte udhëheqës i Departamentit Ligjor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton KOHA.
Anëtarë të tjerë të këtij bordi janë Teki Shala, i cili ka shërbyer në pozitën e drejtorit të Financave dhe Buxhetit në Komunën e Gjakovës nga LDK-ja, anëtarë të tjerë janë Blerim Shehu dhe Kushtrim Krasniqi.
Shoqëria Civile konsideron se emërimi i këtyre personave joadekuatë ka bërë që të falimentojnë ndërmarrjet publike, siç është Telekomi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka mbrojtur emërimin e anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të Telekomit, duke thënë se ata janë përzgjedhur përmes CV-ve.
Ai ka thënë se emrat e tyre nuk janë të lidhur me politikën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se të hënën në ekzekutiv do t’i shkojnë rekomandimet për nxjerrjen e Telekomit nga kriza.
Ka njoftuar se ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, do të prezantojë dy opsione të cilat do ta nxjerrin Telekomin nga kriza.
Ai ka thënë se vendimi nuk do të jetë i lehtë, duke e përsëritur se kjo është barrë e madhe për Qeverinë.
Telekomi i Kosovës është duke kaluar në krizë të jashtëzakonshme financiare, pas bllokimit të xhirollogarive nga Z-Mobile dhe tërheqjes së rreth 3 milionë eurove nga mbi 26 sa ia ka borxh kjo ndërmarrje kompanisë private.