Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, është shprehur se situata me koronavirus në Kosovë është tejet e rënduar.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi ka treguar se si është riorganizuar stafi gjatë kësaj periudhe dhe cilat janë kapacitetet spitalore për t’u përballur me pandeminë.
Sa u përket raportimeve për mungesa të pajisjeve mbrojtëse nëpër spitale, Krasniqi thotë se autoritetet kanë qenë të përgatitura vetëm për periudhë tremujore dhe jo për përhapje të tillë të virusit.
“Gjendja aktuale është jashtëzakonisht e rënduar. Tash e një muaj kemi rritje të numrit të rasteve të të infektuarve në nivel vendi dhe kjo po përcillet edhe me rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim. Ne kemi pothuajse rreth 600 pacientë të shtrirë në klinikat tona në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe spitale rajonale. Ky numër është i madh kur dihen kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor. Bazuar në vendimet e qeverisë, të datës 5 korrik, për riorganizimin e personelit shëndetësor, shtimin e kapaciteteve të reja dhe shtimin e numrit të shtretërve dedikuar pacientëve, i kemi bërë të gjitha veprimet në këtë drejtim dhe kemi në dispozicion 750 shtretër për të prekurit nga COVID-19”, ka thënë Krasniqi për REL.