Të shtunën është raportuar edhe për 39 të infektuar me COVID-19 në qytetet e Kosovës të banuara edhe nga serbët. Këto të dhëna i ka publikuar shtabi i krizës i Mitrovicës veriore, që raporton për të infektuarit e komunitetit serb. Ky organ raporton në fakt për “të infektuarit në mjediset serbe në Kosovë”.
Në Mitrovicë veriore janë 13 raste të reja, në Leposaviq shtatë raste, në Graçanicë katër raste, në Zveçan, Zubin Potok dhe Prilluzhë nga tri raste, në Kamenicë e Shtërpcë nga dy raste kurse në Gjilan e Lipjan nga një rast.
Aktualisht 101 pacientë janë të hospitalizuar, kurse në vetëizolim janë 290 persona.
Pacientë nga Kosova, në bazë të njoftimit të shtabit të krizës nga Mitrovica veriore, po shërohen edhe në qytetet e Serbisë.
Në Mitrovicë të veriut po shërohen 91 pacientë me COVID-19. Në Nish të Serbisë janë katër pacientë, në Beograd tre pacientë kurse në Kragujevc dy pacientë.
Nuk është qartësuar nëse ky numër i të infektuarve është i përfshirë në të dhënat që prezantohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Por shumë prej këtyre qyteteve nuk përmenden në raportet ditorë të IKSHPK-së. Kështu ndodhi edhe të enjten.
Qytetet ku ka pasur raste të reja me COVID-19, sipas IKSHPK-së: Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Fushë Kosova, Vushtrria, Peja, Mitrovica, Skenderaj, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Drenasi, Vitia, Lipjani, Kamenica, Podujeva, Istogu, Obiliqi, Parteshi
Qytetet ku ka pasur raste të reja me COVID-19, sipas shtabit të krizës në Mitrovicën veriore: Mitrovica veriore, Leposaviqi, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Prilluzha, Kamenica, Shtërpca, Gjilani, Lipjani.