Përmes një deklarate të lëshuar për media, kompania publike Telekomi i Kosovës, thonë se mund t’i shpëtojnë nga falimentimi vetëm Prokuroria e shtetit dhe Qeveria e Kosovës, raporton Gazeta Express.
Nga Telekomi bëjnë të ditur se me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 6 korrik është refuzuar prapësimi i debitorit Telekomi i Kosovës dhe u kalua në fuqi te përmbaruesi privat urdhëri përmbarimor për shumën e obligimit financiar prej rreth 24.6 Milionë Euro.
“Me këtë vendim të procedurës së përshpejtuar përmbarimore, të pa peshuar dhe vlerësuar sa duhet, Telekomi i Kosovës po kërcënohet me falimentim. Edhe pse ekzistojnë mundësi ankimimi në Gjykatën e Apelit, e njëjta nuk e prolongon medoemos ekzekutimin e urdhrit përmbarimor”, thuhet në reagimin e kompanisë publike.
“Nga raportet e hartuara të ekspertëve të brendshëm të kompanisë si dhe të atyre të jashtëm është bërë vlerësimi që humbjet reale të Telekomit të Kosovës, nga kjo kontratë dalin të jenë qindra milionëshe”, thonë nga Telekomi, duke shtuar se pasojat e këtij përmbarimi të përshpejtuar, përveç se do të jenë të karakterit social dhe ekonomik, do të jenë edhe të karakterit politik, nacional dhe legal pasi që e gjithë kjo rrezikon të shpërthejë si afera më e madhe korruptive në gjithë historinë e Republikës së Kosovës.
“E vetmja forcë e cila ende mundet dhe duhet të merret me ruajtjen e Telekomit të Kosovës si aset nacional ka mbetur Qeveria e vendit, e cila e ka për obligim ligjor e kushtetues që të kontestojë gjithë procesin e grabitjes së Telekomit të Kosovës dhe si përfundim të anuloj atë, duke ia kthyer publikut atë që i takon. Rrjedhimisht fati i kompanisë dikur më të suksesshme në vend e në rajon, e cila aksionarit i dha dividendë qindra milionëshe, tani është në dorën e Prokurorisë së shtetit dhe të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Nga Telekomi kanë ftuar Prokurorinë e Shtetit që të ndërmarrë hapa dhe veprime emergjente lidhur me këtë çështje.
“Drejtuesit dhe punonjësit e Telekomit të Kosovës, edhe më tutje mbesin në besim se Qeveria e Republikës së Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e tjera shtetërore nuk do të lejojnë që të ndodhë falimentimi i kësaj kompanie. Bëjmë thirrje publike që në procesin e konsolidimit dhe ristrukturimit të kemi mbështetjen e plotë dhe ndihmën e pakursyer të aksionarit dhe institucioneve relevante të shtetit”, thuhet në fund të reagimit.