Tommaso Vitale: Nuk ka ndryshim në mandatin e KFOR-it në Kosovë

Gjenerali i brigadës Tommaso Vitale, shef i zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd, ka deklaruar që nuk ka ndryshime në mandatin e KFOR-it në Kosovë. Ai ka shtuar se KFOR-i po e përmbushë “atë që është e përshkruar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

“Detyra jonë është që të mbrojmë të gjithë njerëzit në Kosovë, që të garantojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe dëshiroj të them që në të njëjtën kohë e mbështesim fuqishëm rinisjen e dialogut (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) nën ombrellën e Bashkimit Evropian (BE) apo cilitdo aktorë tjetër ndërkombëtar, në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjen historike”, theksoi Vitale në panelin kushtuar bashkëpunimit të Serbisë dhe NATO-s, në kuadër të javës së 8 të NATO-s që po mbahet në Beograd, nën organizimin e organizatës joqeveritare Qendra për Studime Euroatlantike.

“KFOR-i ka qenë, është dhe vazhdon të jetë plotësisht i përkushtuar, nuk do të ketë ulje të numrit të trupave. Gjendemi në një mjedis kompleks, i cili është bërë edhe më kompleks me (pandeminë) COVID-19”, tha shefi i Zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd.

Reklama e sponzorizuar

Vitale ka theksuar që politika e neutralitetit ushtarak të Serbisë – për të cilën insistojnë autoritetet e saj – nuk paraqet kurrfarë pengese për bashkëpunim me NATO-n.

“Serbia është fqinj i ynë dhe partner mjaft i vlerësuar. Roli i saj është kyç për rajonin dhe në kontekstin e gjerë ndërkombëtar. Ne kemi thënë mjaft qartë se parimi i ynë themelor është që NATO, si aleancë, e respekton të drejtën e secilit shtet sovran që të ketë zgjedhjet e tij dhe aranzhimet e sigurisë pa kurrfarë përzierje ose veto nga jashtë. Kemi qenë mjaft të qartë lidhur me atë që NATO e respekton të drejtën e Serbisë që të zgjedh aranzhimet e veta”, ka thënë Vitale.

Shefi i zyrës së NATO-s më Beograd ka rikujtuar që partneriteti ndërmjet Serbisë dhe NATO-së është vendosur rreth një dekadë e gjysmë më parë – më 2006 – përmes zyrës ushtarake, të cilën ai e drejton aktualisht dhe se ky partneritete po zhvillohet “në interesin e Serbisë dhe NATO-s, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Branimir Filipoviq, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, ka falënderuar përfaqësuesin e NATO-s për qëndrimin lidhur me respektimin e politikës së neutralitetit ushtarak të Serbisë dhe gjithashtu, ka theksuar që bashkëpunimi i Serbisë me Aleancën është në interesin e ndërsjellë dhe se kjo “është rruga e drejtë për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit”.

“Bashkëpunimi është i rëndësishëm edhe për shkak të çështjes së Kosovës, e cila për Serbinë është sfida më e madhe politike dhe e sigurisë e për të cilën dialogu është në vazhdim e sipër”, tha Filipoviq, duke theksuar që është e rëndësishme të punohet lidhur me perceptimin ndaj NATO-s në opinionin publik në Serbi.

Sipas hulumtimeve që janë publikuar më 21 korrik, anëtarësimin eventual të Serbisë në NATO e mbështesin 9 për qind e të anketuarve në Serbi, ndërkaq 72 për qind janë shprehur kundër. Të tjerët, siç kanë thënë, nuk do të votonin në një referendum për një çështje të tillë. Hulumtimin e ka zhvilluar Qendra për zgjedhje të lira dhe demokraci , përfaqësuesi i së cilës ka thënë se qëndrimet e qytetarëve për anëtarësim në NATO, janë identike me rezultatet e dy vjetëve paraprakë.

Arsyeja themelore e mbështetjes së dobët për NATO-n në mesin e qytetarëve të Serbisë, është intervenimi i NATO-s në vitin 1999, i cili zgjati 78 ditë dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes teknike-ushtarake në Kumanovë, më 9 qershor 1999, pas së cilës forcat ushtarake dhe policore të Serbisë e braktisën territorin e Kosovës/REL.