3 pacientë të tjerë humbën jetën nga Covid-19 në vendin tonë duke e çuar në 104 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se janë konfirmuar 99 raste të reja në 24 orët e fundit.
Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit ka humbur jetën një 44 vjeçare nga Tirana, prej 10 ditësh e intubuar dhe pa sëmundje bashkëshoqëruese, përveç obezitetit.
Nuk e kanë fituar betejën edhe dy qytetarë, një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese.
Në 24 orët e fundit është shtuar numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Me hapjen e Covid2, aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 102 pacientë, 11 pacientë janë në terapi intensive dhe 3 prej tyre janë të intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 425 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 99 raste pozitive.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 46 qytetarë, duke e çuar në 2137 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në Shqipëri aktualisht janë 1610 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.