Lëvizja Vetëvendosje sërish do të propozojë futjen në rend dite në seancën e radhës në Kuvend çështjen e Telekomit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, nëpërmjet Facebookut.
Nagavci ka treguar se më 13 korrik, në emër të LVV-së, kishte ofruar të diskutohej për çështjen e Telekomit, por se nuk pati vota pro dhe nuk u vendos në rend dite. Nagavci ka thënë se do të propozojë të futet në rend dite çështja e Telekomit sot në Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
“Kërkesa ime ishte që diskutimi për ndërmarrjen publike të shtohet si çështje urgjente në rendin e ditës së seancës plenare, pasi gjykata ka lejuar përmbarimin e një vendimi të arbitrazhit në favor të kompanisë Dardafon.net, e njohur si Z-Mobile. Përmbarimi i këtij vendimi rrezikon mbarëvajtjen e Telekomit, duke cenuar njëherësh sigurinë shtetërore, interesin publik dhe punëtorët e ndërmarrjes. Deklarimet e përfaqësuesve të gjitha grupeve parlamentare ishin se kjo është një çështje tejet e rëndësishme dhe duhet të diskutohet në Kuvend, por fatkeqësisht nuk e mbështetën me votë pro, andaj dhe nuk u vendos në rend të ditës si pikë për shqyrtim. Telekomi i Kosovës është aset nacional dhe është obligim kushtetues ta ruajmë atë nga falimentimi. Andaj unë edhe sot, në Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të propozoj edhe një herë që kjo të jetë pikë e veçantë e rendit të ditës në seancën e radhës. Pres që ky propozim të marrë mbështetjen e nevojshme nga anëtarët e Kryesisë dhe të trajtohet sa më parë në Kuvend”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.