Zgjedhja e dekanëve të rinj në UP shoqërohet me zhurmë e mospajtime

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Zgjedhjet për dekanëve në fakultetet e Universitetit të Prishtinës u përcollën sot me shumë zhurmë dhe mospajtime.

Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit për dekan u propozuan tre kandidatë: Musa Selimi, Ajvaz Berisha dhe Hazir Salihu. Por ky i fundit, siç raporton EO, u tërhoq, siç tha, për arsye personale.

E kandidatura e Ajvaz Berishës u përcoll me shumë paqartësi dhe me shumë zhurmë.

Reklama e sponzorizuar

“Ju po tentoni ta eliminoni dikë nga kandidatura, por nuk do të ndodhë, ose shtyni zgjedhjet deri nesër edhe të shohim te gjitha procedurat”, tha Berisha.

Në fund dekan u zgjodh Musa Selimi.

Zgjedhjet për dekan u mbajtën edhe në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik.

Për këtë të fundit kandidoi vetëm Avni Puka, i cili u zgjodh me 30 vota për, katër kundër dhe dy abstenime.

“Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që më keni zgjedhur, por në të njëjtën kohë ndihem me më shumë përgjegjësi ,por së bashku me juve do t’ia dalim”, tha Puka.

Ndërsa ish-dekani Haxhi Gashi tha se ka qenë privilegj që për dy mandate të jetë në krye të Fakultetit Juridik.

Në Fakultetin Filologjik u zgjodh për herë të dytë dekane Lindita Rugova, përderisa Blerim Saqipi u zgjodh në Fakultetin e Edukimit.

Në fakultetin Filozofik u zgjodh dekan Dashamir Burxulli. Vend për dekan pati edhe për një ish-ministër. Idriz Vehapi u zgjodh dekan në FShMN, e në Fakultetin e Arteve dekan u zgjodh Hazir Haziri, raporton EO.