Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje lidhur me vendimin e këtij dikasteri, për lejimin e testimeve për koronavirus – procedurë e cila deri tani është bërë vetëm në sektorin publik.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për dy udhëzime administrative, për kushtet e veçanta spitalore që iu hap rrugë kryerjes së testimeve për Covid-19.
”Edhe më parë disa institucione private veçse kanë paraqitur kërkesa që të licencohen për kryerjen e testeve për koronavirus”, është shprehur Hoti.
A do të marrë kohë paraqitja e aplikimit për lejim të testimeve?
”Me hyrjen në fuqi të këtyre udhëzimeve nëse institucionet private janë në gjendje që ta bëjnë aplikimin ato mund ta bëjnë që ditën e nesërme në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore, ku do të nënshkruajnë një deklaratë që plotësojnë të gjitha kushtet sipas këtyre dy udhëzimeve administrative”, pohon ai.
Më tej Hoti tregon edhe për llojet e institucioneve të cilat do të lejohen të bëjnë teste molekulare dhe serologjike.
”Ato do të jenë Ambulancat Specialistike të Alergologjisë me Imunologji Klinike, Laboratori mjekësor Biokimik Hematologjik si dhe Laboratori mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike”.
Ai thotë se me nënshkrimin e këtyre dy udhëzimeve administrative përveç që zgjerohet mundësia e testimeve molekulare, bëhet mundësia që të ketë edhe testime serologjike për të parë shkallën e imunitetit të popullatës nga sëmundja Covid-19.
A do t’i përcaktojë Qeveria çmimin e institucioneve private për testin e koronavirusit?
”Tash për tash testet që kryhen në institucionet publike nuk paguhen”.
”Sa i përket institucioneve private, ato i nënshtron konkurrencës, dhe Ministria e Shëndetësisë nuk përcakton çmimin e tyre, mirëpo do të vendoset sigurisht ndonjë tavan, apo do të shkohet drejt asaj që do të harmonizohen çmimet – ku kualiteti do të jetë ajo që do të përcaktojë vëllimin e shërbimeve që do të marrin qytetarët në këto institucione”./KlanKosova