Më 31 tetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës pati marrë vendim për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26.6 për qind.
Ky vendim që nisi të aplikohej dy muaj më vonë, përveçqë kishte ngjallur pakënaqësi qytetare, ishte kontestuar edhe nga ana ligjore.
Por, pavarësisht kësaj, BQK-ja deri më tash nuk ka ndërmarrë kurrfarë hapash për ulje të tarifës.
Madje, as nuk e ka bërë publik këtë vendim në faqen e saj zyrtare duke u thirrur në çështje të konfidencialitetit, ani pse vendimi ka ndikuar direkt në jetën e qytetarëve.
Kundër këtij shtrenjtimi kishte dalë edhe kryeministri aktual Avdullah Hoti gjatë kohës sa ishte në cilësinë e deputetit.
Mirëpo, për më shumë se dy muaj sa qëndron në krye të Qeverisë, Hoti nuk e ka sfiduar BQK-në për shfuqizim ose edhe ulje të kësaj tarife.
Pavarësisht insistimit të televizionit, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigje lidhur me këtë çështje.
Agan Hajdarhoxha, organizator i protestave që ishin bërë kundër shtrenjtimit të sigurimeve, thekson se në negociatat që kanë pasur me guvernatorët BQK-ja u kishte premtuar zbritje të menjëhershme prej 5 për qind të tarifës së sigurimit.
Por, për shkak të situatës me pandeminë, Hajdarhoxha thotë se as nuk është ulur tarifa dhe as nuk janë ftuar më nga guvernatorët.
“Ne jemi munduar në një farë forme të gjejmë një zgjidhje që do ta lehtësojë regjistrimin e veturës por kjo gjë ka mbetur pezull për shkak të pandemisë…Ne po besojmë dhe po shpresojmë që sa më shpejtë të takohemi me guvernatorin dhe t’i përfundojmë këto gjëra që na janë premtuar nga guvernatori, ulja e menjëhershme prej 5 për qind po ashtu edhe ndryshimet në sistemin bonus-malus”, ka thënë Hajdarhoxha.
Me rregullimin e bonus-malusit nënkuptohet që nga bonusi do të përfitojnë shoferët e mirë dhe të disiplinuar, ndërsa nëpërmjet malusit shoferët e papërgjegjshëm që shkaktojnë aksidente do të jenë në disavantazh.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, thekson se është shumë e nevojshme që të merret një vendim për shfuqizimin e kësaj tarife, sepse në situatën me pandeminë qytetarët për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike do të detyrohen që të mos i regjistrojnë veturat dhe rrjedhimisht kjo do të ndikojë keq edhe në arkën e shtetit.
“Tani kur po flas ne po përballemi me një pandemi e cila e ka ngarkuar ekonominë në vend dhe në njëfarë mënyre edhe jetën e qytetarëve dhe biznesve dhe kjo detyrimisht ndikon në ngarkesën financiare në nivel të shoqërisë në përgjithësi. Kësisoj Qeveria duhet të ketë kujdes që në planin për rimëkëmbjen ekonomike ta largojë këtë ngarkesë”, është shprehur Kadrijaj.
Vendimi për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve, sipas vlerësimit të ekspertëve, ka rënë ndesh me objektivat e BQK-së dhe me parimet e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. /Koha/