Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për vitin 2020.
Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24 615 familje me gjithsej 99 712 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 301 familje.
Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se: nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 140 917 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 547 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 663 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 91 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 2 453 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,133 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 572 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 988 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 950 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 3 071 përfitues- nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 640 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 38 218 përfitues.