Punësimet pa konkurs, pagat e larta, ngritja në grada pa kritere dhe kontrata të dyshimta e përtej planifikimeve në Telekom, i ka konfirmuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për këtë ndërmarrje.
Ajo në raportin e publikuar këto ditë, thekson se si një analizë financiare të kontratës mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon apo e njohur si “Z-Mobile”, i ka kushtuar Telekomit hiç më pak se 93 mijë euro apo trefish më shumë sesa që kishte planifikuar.
Vitin e kaluar kjo ndërmarrje kishte planifikuar 30 mijë euro për këtë analizë. Por, kompania që fitoi tenderin, u shpërblye me 93 mijë euro. Kjo kontratë ishte kryer me procedurë të negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Telekomi këtë e kishte konsideruar si rast urgjent, edhe pse për këtë menaxhmenti ishte informuar që nga gushti i 2018-s.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se shkaku i mosplanifikimit me kohë dhe aplikimit të procedurës së papërshtatshme të prokurimit të cilësuar si rast emergjent, kompania kishte kryer aktivitetin duke shpërblyer operatorin ekonomik me kontratën 93 mijë euro, apo 63 mijë euro më shumë sesa që është planifikuar.
Buxheti shtesë në vlerë mbi 63 mijë euro ishte aprovuar nga Bordi i Drejtorëve. “Kostot shtesë ishin rrjedhojë e ofertës të pranuar nga vetëm një operator ekonomik, si dhe kushteve të panegociueshme nga operatori lidhur me çmimin për përgatitje të analizës brenda një afati të shkurtër kohor, si dhe arsyetimeve të menaxhmentit të kompanisë për pranimin e ofertës duke marrë për bazë nevojat emergjente për këtë analizë”, thuhet në raportin e Auditorit. /Koha/