Pak kilometra larg qendrës së Prishtinës, në një biznes të palicencuar për gaz mjekësor, veturat e ambulancave të sistemit publik shëndetësor zbarkojnë për t’u furnizuar me oksigjen.
Kompania “Lindi” nuk figuron si kompani e licencuar për furnizim me oksigjen mjekësor.
Megjithatë, KOHA ka dëshmi se disa qendra të sistemit publik shëndetësor po furnizohen në këtë pikë.
Rreth orës 10 të ditës së premte, dy autoambulanca, sipas dëshmive që ka siguruar KOHA, janë parë duke u furnizuar me oksigjen.
Autoambulancat në bazë të fotografive i takojnë Spitalit të Prizrenit.
Brenda në autoambulancë shihen boca të mëdha që shërbejnë për oksigjen. Pranë derës se kësaj veture shihet po ashtu një punëtor, në bluzën e të cilit shkruan emri i firmës.
Kur ekipi i KOHËS ka arritur në afërsi të kësaj kompanie autoambulancat ishin larguar, por disa minuta me vonë një tjetër ambulancë ka ardhur në këtë kompani.
Pronari i kësaj kompanie nuk ka pranuar të flasë para kamerës për këtë çështje.
KOHA ka dërguar pyetje për këtë çështje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Asnjë nga këto institucione nuk është përgjigjur.
Megjithatë, ministri Zemaj ka thënë se përgjegjësinë për furnizim me oksigjen e ka SSHKUK-ja
Fakti që kompania nuk ka licencë për oksigjen mund të vërtetohet në faqen e Agjencisë së Barnave. Te Dokumenti për listën me produkte me marketing, autorizim për oksigjen mjekësor del që kanë vetëm dy kompani.
Përdorimi i oksigjenit cilësor është vendimtar për pacientët.
Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve, ka thënë se institucionet shëndetësore duhet të furnizohen me këtë lloj të produkteve vetëm në rast se plotësohen kushtet, dhe në të gjitha rastet duhet të jenë me licenca dhe autorizime nga AKPPM-ja.
Sipas Udhëzimit Administrativ 01/2015, neni 5, paragrafi 2, gazet mjekësore duhet të klasifikohen si produkte mjekësore në pajtim me nenin 1.2 të direktivës 65/65/EC. …
KOHA ka raportuar për problemet me furnizim me oksigjen. Dy kompanitë e licencuara nuk po mund të sjellin sasinë e mjaftueshme të oksigjenit për pacientët me COVID 19, e kompani të tjera që mund të kenë oksigjen nuk kanë certifikatë të cilësisë.