Po bëhen më shumë se 10 ditë që kur Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka intervistuar dhe poentuar kandidatët për Avokat të Popullit. Tashmë dihen tre emrat e kandidatëve që kanë kaluar suksesshëm intervistën finale.
Kësisoj, për pozitën që deri më tani e ushtron Hilmi Jashari, janë kualifikuar Naim Çelaj, Edona Hajrullahu dhe Xhavit Shala. Këta tre kandidatë tashmë është dashur të votohen edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, si duket eliminimi i Enver Hasanit në intervistën finale po bën që të zvarritet ky proces, për shkak të përpjekjeve për ta rikthyer atë sërish në garë. Komisioni përkatës nuk po arrin ta bëjë kuorumin dhe t’i dërgojë tre emrat në Kuvend për votim. Sipas burimeve brenda Kuvendit mësohet se arsyeja vjen për shkak të përpjekjeve për ta rikthyer kandidatin Enver Hasani në garë, përkundër që me ligj duhet të jenë 3 personat më të poentuar që duhet t’i nënshtrohen votës së deputetëve.
Këtë po e bëjnë duke u thirrur në Ligjin për Avokatin e Popullit, sipas të cilit, lista e ngushtë përmban tre (3) kandidatë, përveç në rastin kur brenda numrit 3 (tre), ka më shumë kandidatë me pikë të barabarta vlerësuese. Brenda numrit tre nënkupton kandidatë që radhitet si të tretit me pikë të barabarta. Ndërsa, në rastin aktual realiteti qëndron shumë më ndryshe. Pasi që, vetëm në rastin kur dy personat e fundit kanë pikë të barabarta mund të shkojë edhe i katërti. Enver Hasani, i cili ishte eliminuar nga gara, është kandidati i katërt me gjithsej 39 poena.
I treti në listë është Xhavit Shala me 42, pra jo me pikë të barabarta me Hasanin, pasi dallimi mes kandidatit të tretë dhe të katërt është 3 pikë. Pikët e barabartë në këtë rast janë mes dy të parëve, konkretisht në mes të Edona Hajrullahut me 43 poena dhe Naim Çelaj me 43, të cilët i përkasin vendit të dytë dhe parë. Enver Hasani mësohet se po tentohet të rikthehet në garë me përpjekje të krahut të Kryetarit të LDK-së dhe disa përfaqësuesve të partive tjera, me të cilët ai kishte arritur të bënte marrëveshje të shumëfishta gjatë kohës kur po trajtohej lënda e mandatarit në Kushtetuese. Hasani asokohe përflitej se kishte bërë marrëveshje me LDK-në që të mos kishte prezencë mediale favorizuese për asnjë parti politike gjatë kohës kur lënda po trajtohej nga Kushtetuesja, deri sa në anën tjetër ai përflitej se po e ndihmonte edhe Lëvizjen Vetëvendosje me hartimin e argumenteve, por pa zhurmë publike.
Kjo si duket është arsyeja pse nuk po arrihet kuorumi në Komisionin përkatës parlamentar dhe tani ai po ju bën presion këtyre partive politike për ta mbështetur.
Se do të ishte shkelje ligjore rikthimi në garë i Enver Hasanit për Avokat të Popullit, e thotë edhe njohësi i Kushtetutës, njëherësh profesori universitar Riza Smaka.
Smaka i ka thënë Periskopit se në këtë rast, Enver Hasani do të duhej të përjashtohej nga gara për Avokat të Popullit për shkak se nuk është e nevojshme për një kandidat të katërt, ku vetëm dy (prej 3 kandidatëve) kanë pikë të barabarta. “Jo z Hasani do të duhej të përjashtohej nga gara, pasiqë nuk janë 3 kandidatë me pikë të njëjta, por janë vetëm dy të parët. Nëse do të ishin të tre kandidatët me pikë të njëjta, atëherë do të duhej të futej edhe kandidati tjetër, i katërti me radhë, pra në këtë rast z Hasani”, i ka sqaruar profesori Smaka Periskopit.
Profesor Smaka megjithatë ka rikujtuar se për pozita të tilla duhet që të plotësohen strikt kriteret, derisa ka përmendur edhe një rast kur Enver Hasani kishte dështuar të emërohej anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Në vitin 2010 kur është bërë përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, asnjë kandidat i cili është propozuar nga Kuvendi dhe Presidenti nuk është zgjedhur për shkak se nuk i kanë plotësuar kushtet. Ndër ta ishte edhe z Enver Hasani i cili nuk e kishte përvojën 10 vjeçare të ligjërimit në universitet, aq sa e kërkonte kriteri për atë pozitë”, ka theksuar Smaka.
Profesori nuk i përjashton edhe interepretimet e tjera lidhur me procedurën e përgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke thënë se shpesh ndodhë që ato të bëhen mbi premisa e interesa partiake. Edhe herëve të kaluara ka qenë praktikë përfshirja e kandidatit të katërt vetëm kur ai ka pasur pikë të barabarta me kandidatin që ka dalë i treti. Kjo është e nënkuptueshme, pasi që nëse analizojmë në mënyrë hipotetike, nëse dalin 3 kandidatët me pikë të njëjta, atëherë i bie që garës do duhej t’i futeshin plus dy të tjerë dhe të shkonin së paku 5 kandidatë. Hilmi Jashari, të cilit i skadon mandati pesëvjeçar, është zgjedhur Avokat i Popullit nga Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 2015./Periskopi/