Eksperimenti gjerman: 120 qytetarë do të marrin nga shteti 1,400 euro në muaj për 3 vjet

Gjermania do të bëhet vendi i fundit që do ta provoj modelin Universal Basic Income (UBI). Ky model mundëson që qytetarët të marrin një të hyrë bazike nga shteti. Në ketë eksperiment do të marrin pjesë 1.500 njerëz për një afat tre-vjeçar, ku do të shihet se si të ardhurat mujore do të ndikojnë në ekonominë dhe mirëqenien e pjesëmarrësve ne eksperiment.

Si pjesë e studimit, 120 individë do të marrin ekuivalentin prej 1,430 dollarë në muaj për 3 vjet, që është pak më shumë se kufiri i varfërisë së Gjermanisë, në krahasim me një grup tjetër prej 1.380 personash që nuk do të marrin pagë.

Studimi do të bëhet nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike dhe është financuar nga 140,000 donacione private.

Reklama e sponzorizuar

Të gjithë pjesëmarrësve do t’u kërkohet të plotësojnë pyetësor për jetën e tyre, punën dhe gjendjen emocionale, për të parë nëse të ardhurat themelore kanë pasur një ndikim të rëndësishëm.

Të ardhurat themelore universale – është model ku qeveria i paguan një shumë parash secilit prej qytetarëve të saj, zakonisht një herë në muaj, pavarësisht nga të ardhurat dhe statusi i punësimit.

Përkrahësit e saj argumentojnë se kjo do të zvogëlojë pabarazinë dhe gjithashtu do të përmirësojë mirëqenien publike duke siguruar njerëzve më shumë siguri financiare. Kundërshtarët e saj thonë se do të ishte shumë e shtrenjtë dhe do të dekurajonte njerëzit që të shkojnë në punë. Ideja ka fituar peshë në vitet e fundit pas krizave të fundit financiare dhe pabarazisë në rritje në disa vende perëndimore.

Jürgen Schupp, i cili po udhëheq studimin, i tha gazetës gjermane Der Spiegel se studimi do ta pasuroj debatin për të ardhurat themelore universale duke prodhuar prova shkencore që nuk ishin në dispozicion më parë.

Finlanda eksperimentoi me formën e vet të të ardhurave themelore Universale për gati dy vjet midis janarit 2017 dhe dhjetorit 2018, por arriti në përfundimin se ndërsa u rrit lumturia tek pjesëmarrësit, kjo nuk çoi në rritje të punësimit, raportoi BBC. Gjatë eksperimentit, 2,000 finlandezë të papunë morën 560 € (667 dollarë) në muaj.

Marrë nga: BusinessInsider
Përktheu: Buletini Ekonomik