Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se tërheqja e Trustit prej 10% nuk mund të jetë zgjidhje për rimëkëmbje ekonomike.
Madje, ai thotë se mund të jetë një precedent që në të ardhmen të politizohet dhe të përdoret për kampanja promovuese politike.
Gërxhaliu më të udhës po e sheh që qeveria të merr borxh nga Trusti dhe ti ndihmojë qytetarët. Ai ka thënë që qeveria duhet të shikojë edhe alternative të tjera për rimëkëmbje ekonomike.
“Rritja e borxhit publik është një ndër alternativat, me ligjin mbi financat publike Kosova ka të drejtë të jetë në borxh deri në 40% të GDP-së, së Kosovës dhe për momentin i kemi afër 25%. Tërheqja e 10% e Trustit nuk është zgjidhje, kam drojë që është një precedent që në të ardhmen do të politizohet dhe në qoftë se tash do të lëshohet pe, ajo do të shfrytëzohet edhe për kampanja promovuese politike dhe kjo do ta dëmtojë vërtet Kosovën dhe shumë më e udhës është Qeveria të merr borxh nga Trusti dhe ta ndihmojë qytetarin”, është shprehur ai.
Mes tjerash ai ka thënë se Kosova është shumë mbrapa krahas vendeve të rajonit sa i përket rimëkëmbjes ekonomike.
Mirëpo sipas tij përçarja dhe mos uniteti i subjekteve politike po i ngadalëson këto procese, raporton EO.
“Duhet të kuptohet që Kosova është shumë mbrapa në krahasim me vendet e rajonit dhe më gjerë sa i përket rimëkëmbjes ekonomike. Në rend të dytë jemi dëshmitar të një realiteti të hidhur të krijuar në Kosovë, ku është një përçarje politike dhe një mungesë e unitetit politik që po i ngadalëson të gjitha këto procese. Deri sa vendet e tjera i kanë bërë tre katër hapa për të qenë dorë e zgjatur e shtetit për të mbrojtur dhe për të mbështetur sektorin privat dhe qytetarët e Kosovës ne jemi në një situatë alarmante”.
“Sepse nuk është e rrugës vetën këto ligje të miratohen dhe të kalojnë në parlament mirëpo varet edhe nga dinamika e fillimit të implementimit, dhe vetë fakti që këto ligje janë votuar me nguti dhe pas votimit pjesa dërmuese e deputetëve kanë shkuar në pushime, e dëshmon vërtet më së mire jo seriozitetin përballë rimëkëmbjes ekonomike dhe në këtë drejtim duhet me urgjencë të hulumtohen edhe alternativa të tjera”, ka thënë ai për EO.
Gërxhaliu ka thënë se nuk duhet vetëm të miratohen ligjet kur ka tkurrjeve të të hyrave në doganë apo në Administratën Tatimore.
“Nuk mjafton vetëm të miratohen ligjet kur dihet fare mirë që kemi tkurrje të të hyrave qoftë në Doganë apo në Administratën Tatimore dhe kjo është sfida më e madhe”.