Në kohën e izolimit, një grup i mirë biznesesh u detyruan të punojnë me orë të reduktuara, ndërkohë që zyra e tyre krejt papritur ishin muret e shtëpisë së secilit prej punonjësve. Disa procese pune, që mund të kryhen në distancë, mund të siguronin vazhdimësinë e biznesit.
Këtu nuk flasim për agropërpunimin, fasonët apo disa sektorë specifikë por call center, bankat, mediat, kompanitë e teknologjisë së informacionit, të cilat mund të kryenin fare mirë disa procese nga shtëpia. Kjo u jepte mundësi atyre të krijonin distancën e nevojshme fizike që duhej mes punonjësve. Që të aplikosh punën në distancë duhet të kesh sisteme online, pajisjet dhe infrastrukturën e duhur, si dhe njohuritë e nevojshme.
Të gjithë ata që kishin investuar në këto aspekte ia dolën që të përshtateshin shumë shpejt me situatën e re. Pjesa tjetër u detyruan të mendojnë seriozisht për investime. Për një pjesë të mirë të kompanive të mëdha, izolimi ka shërbyer si kohë për të përmirësuar sistemet online.
“As rënia e xhiros nuk përbën shqetësim për ruajtjen e pozicionit në treg dhe qëndrueshmërisë së kompanive. Shumë kompani, me të cilat bashkëpunojmë, konstatojmë se kjo periudhë ka vlejtur për ripozicionimin e tyre nga pikëpamja e kualifikimeve dhe objektivave për të ardhmen, pasi teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta.
Nga njëra anë, është ngarkesa e punës, por edhe nevoja për të ndryshuar, por një pauzë është pozitive për ridimensionimin e planeve dhe objektivave për të ardhmen. Rënia e vlerës së faturimit dhe të fitimit mund të konsiderohet si benefit për investime të brendshme të kompanive, për t’u përgatitur për një moment tjetër”, pohon Armand Sharra, administrator i kompanisë më të madhe të teknologjisë, “Infosoft Systems”.
Ai thotë se kjo periudhë shërbeu si një test për bizneset, por edhe si edukim për klientët. “Nëse më parë shpenzohej shumë kohë dhe energji për të edukuar klientët për rritjen e përdorimit të teknologjisë, bizneset e provuan vetë se pa teknologjinë nuk mund të vazhdojë aktiviteti. Në periudhën e izolimit, bizneset e provuan që mund të punonin në distancë dhe të kontrollin operacionet e aktivitetit të tyre.
Kjo tregoi se, tashmë, bizneset janë më të përgatitura dhe më të vendosura për investimet në teknologji. Po ashtu, të qenët të pranishëm sot në zyrë është shumë e kushtueshme. Përdorimi i teknologjisë shkurton kostot e operimit të transportit dhe mbetet e vetmja zgjidhje efektive dhe me më pak kosto për vazhdimin e aktivitetit”, thotë Sharra.
Orientimi drejt investimeve në teknologji vjen si frikë e një izolimi të dytë dhe pasigurisë që sjell pandemia në gjithë globin. Investimet po kryhen në një kohë atipike, në periudhën e verës, kur zakonisht ndodhin në fund të vitit.
“Përveç bizneseve në vështirësi financiare, të cilat po vënë në dyshim ecurinë e mëtejshme të aktivitetit, të gjithë sipërmarrjet e tjera po përshpejtojnë të marrin masa për t’u përgatitur për valën tjetër, nëse do të ndodhë. Rritja e kërkesës për sistemin është në masën 30-40% dhe mendoj se nxitimi për investime është për shkak të rikthimit të një vale të dytë të COVID-19. Rreth 50% e kompanive, investimet për teknologji, zakonisht nxitojnë t’i bëjnë kur mbyllet viti fiskal.
Nxitimi në muajt e verës për investime në teknologji, mund të jetë si rezultat i efektit të rikthimit të virusit, pra kompanitë kërkojnë të jenë të përgatitura, pavarësisht se çfarë ndodh” – thekson administratori i “Infosoft Systems”.