Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë vitit 2019, kanë shpenzuar nga buxheti i ministrisë shuma të mëdha parash për pagesa të paautorizuara dhe që nuk lejohen asesi të bëhen nga kartelat bankare.
Gjithsej 15 mijë e 30 euro ishte shuma e parave të shpenzuara nga ta pa asnjë autorizim dhe asnjë arsyetim, përcjell Buletini Ekonomik.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e kësaj ministrie për vitin 2019, ka identifikuar disa mangësi në keqpërdorimin e parasë publike që e kishin përcjellë këtë ministri, gjatë kohës kur në krye të saj ishte ish-ministri Behgjet Pacolli.
Njëri nga këshilltarët e ministrit për muajt tetor dhe nëntor të 2019-s, kishte bërë shpenzime në vlerë të 6,876 eurove përmes kartelës kreditore, prej të cilave vlerën prej 4 mijë e 168 eurove të tërhequra si para të gatshme ai nuk i kishte arsyetuar fare, me ç’rast avanci i tij kishte mbetur hapur deri në fund të vitit 2019. Madje MPJ-ja nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim konkret lidhur me ndaljen e mjeteve nga paga mujore siç kërkohet me rregullore.
Tek më 07.02.2020 ky zyrtar kishte kthyer paratë në bankë, edhe pse sipas ligjit ai duhet që ta kompensojë shumën e harxhuar brenda 30 ditësh ose Organizata Buxhetore ia ndalë paratë nga paga mujore ose nga përfitimet e tjera të mbajtësit të kartelës, gjë që nuk kishte ndodhur.
Një zëvendës ministër, po ashtu kishte bërë shpenzime për periudhat mars, maj, qershor, gusht dhe shtator të 2019-s, përmes kredit kartelës në vlerë të 6 mijë e 25 eurove, ku nga totali i shpenzimit, 551 euro, kishin qenë shpenzime të cilat nuk lejohen të bëhen përmes kartelës kreditore. E ministria prapë nuk kishte ndërmarrë kurrfarë veprimi për ndaljen e mjeteve nga paga mujore. Tek pas tre muajve, me datën 30.01.2020, zyrtari i kishte kthyer mjetet.
Përveç kësaj, i njëjti zyrtar për periudhat korrik, tetor dhe nëntor përmes kartelës kreditore kishte shpenzuar edhe 10 mijë e 311 euro të tjera, ku përveç raportit bankar zyrtari në fjalë nuk kishte sjellë faturat për të arsyetuar shpenzimet e bëra më ç’rast në fund të vitit avanci kishte mbetur i hapur dhe i raportuar në RVF.
Mos arsyetimi i këtyre shpenzimeve të udhëtimeve dhe mos-mbyllja e avanceve me kohë, mund të ndikojë që paratë publike të keqpërdoren dhe të mos arrihen qëllimet e synuara, sipas Auditorit.
“Ministri duhet të sigurojë që përdoruesit kartelës kreditore të përdorin kartelën për qëllime zyrtare dhe të sigurojë se shpenzimet arsyetohen me fatura si dhe në rastet kur shpenzimet janë të pa autorizuara (jo në harmoni me kërkesat e rregullores) të aplikohen ndalesa në pagë apo kompensime tjera të përdoruesit të kartelës për të kompensuar shpenzimet e pa autorizuara. Ministri po ashtu duhet të sigurojë se me të gjithë përdoruesit e kartelave kreditore janë të lidhura marrëveshjet të cilat e autorizojnë Ministrinë të tërheqë shpenzimet e paautorizuara nga paga e zyrtarit”, përfundon raporti i ZKA-së. /Buletini Ekonomik/