Kosovarët me vlerë rekorde të depozitave në bankat komerciale

Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), niveli i depozitave tashmë ka kaluar vlerën prej 4 miliardë euro, që është vlera më e lartë historike që nga themelimi i sistemit bankar në vend.

Në kontekst të strukturës, rreth 60 për qind e depozitave janë depozita pa afat, 27 për qind depozita me afat dhe 13 për qind depozita të kursimit.

“Rritja e depozitave në sektorin bankar, me një trend të përshpejtuar gjatë viteve të fundit, pasqyron besimin e klientëve në sektorin bankar, sektor që rregullohet dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës. Bankat vazhdimisht kanë avancuar platformat e tyre për pagesa dhe klientët tashmë kanë mundësi që të aplikojnë bankingun elektronik. Avancimet në fushën rregullative si dhe mbikëqyrja profesionale, e përafërt dhe dinamike, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e besimit të klientëve ndaj sektorit bankar”, thuhet në raportin e BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Përveç depozitave, kreditimi bankar ka shënuar rimëkëmbje të plotë duke arritur nivelet e kreditimit të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Kreditë e reja të lëshuara nga bankat vetëm gjatë muajit korrik 2020 kanë arritur vlerën prej 145 milionë euro që paraqet vlerë shumë të përafërt me kreditimin e një viti më parë prej 146.2 milionë euro apo edhe duke e tejkaluar mesataren e kreditimit gjatë periudhën korrik 2015 – korrik 2019 prej 110.1 milionë euro.

Rimëkëmbja e kreditimit është reprezentative edhe sa i përket sektorëve, ku rreth 60 për qind e kredive u janë dhënë bizneseve.

Po ashtu, pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për gjashtë muajt e parë të vitit 2020, mërgata ka dërguar 27.8 milionë euro më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se më së shumti u sollën në muajin maj 2020, në vlerë prej 104 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, pjesa më e madhe janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës për gjashtë muaj ka sjellë 433.2 milionë euro.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës, e ndjekur nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.