Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka vizituar sot Plavën, prej ku paralajmëroi se gjatë mandatit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i rrugës që lidhë këtë qytet me Deçanin në Kosovë, raporton gazeta “Vijesti”, transmeton Koha.net. Siç bëhet e ditur, ndërtimi i kësaj rruge do t’i kushtojë buxhetit të Malit të Zi 15-20 milionë euro.
Kryeministri Markoviq, i cili këtë vizitë e bëri në prag të zgjedhjeve në këtë vend, që mbahen më 30 gusht, numëroi një varg projektesh të kryera a të nisura në këtë komunë, ndërsa paralajmëroi si njërin nga dy projektet kapitale për banorët e saj, ndërtimin e rrugës që lidhë Plavën me Deçanin.
“Në këtë drejtim po punojmë së bashku me Qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka kryer një pjesë të rëndësishme të punëve në anën e vet. Ne jemi në fazën përfundimtare të projektit kryesor. Vlera e këtij investimi do të jetë mbi 15 milionë euro, përafërsisht 15-20 milionë euro, dhe shpresoj se vitin e ardhshëm do të nisin punimet, dhe kuptohet në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës edhe financimin e përbashkët të ndërtimit të tunelit, segmentit më të rëndësishëm, i cili do të hapë komunën e Plavës, të hapë bjeshkën e Bogiqeve, të hapë Malin e Zi, në këtë mënyrë edhe mundësi të pamatshme për vetë Malin e Zi dhe të rinjtë”, citon “Vijesti” kryeministrin Markoviq, transmeton Koha.net.
Siç dihet Kosova tashmë ka ndërtuar e asfaltuar dhjetë kilometra të kësaj rruge.