Kurti e lidh takimin e 2 shtatorit me fushatën presidenciale në SHBA

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka cilësuar si dëshirë për sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme të Richard Grenellit, takimin e ftuar për 2 shtator në Uashington mes Kosovës e Serbisë.

Në një reagim në Facebook, Kurti ka lidhur ftesën e emisarit special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

“Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që ‘premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve’, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Tutje Kurti ka vazhduar me kritikat ndaj Grenellit duke thënë se “është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’”.

“Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë. Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”, ka vazhduar Kurti. “Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë”.

Ish-kryeministri ka thënë se prioritet i Kosovës duhet të jenë luftimi i pandemisë dhe luftimi i korrupsionit të lartë, duke kritikuar qeverinë aktuale se “po dështon në secilin rrafsh”.

Ka përsëritur qëndrimin e tij se për dialogim me Serbinë duhet bazuar në reciprocitet.

Kurti ka përfunduar shkrimin e tij duke thënë se ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata “nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë”.

“Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen”, ka thënë ai.