Kurti: Me Grenellin duhet të veprojmë si me Gelbardin, ta kundërshtojmë njëzëri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ndaj të dërguarit amerikan për dialogun, Richard Grenell, duhet të veprohet si ndaj ambasadorit Robert Gelbard më 1998, të kundërshtohet njëzëri dhe në vend të tij të sillet një Richard Holbrooke i ri.

“Para tri ditëve prej ambasadës sonë në ShBA mora njoftimin për një kërkesë, nënshkruar prej 25 veprimtarëve shqiptarë në ShBA, për të marrë pjesë në një takim virtual të përbashkët me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike, për të diskutuar perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se duke vlerësuar lart komunitetin shqiptaro-amerikan për kontributin e tij patriotik historik e aktual, e njëkohësisht duke e kuptuar brengën dhe dëshirën e mirë që shfaqin 25 nënshkruesit e kërkesës, e ka konsideruar me seriozitet atë, duke u konsultuar gjerësisht me bashkëpunëtorë brenda e jashtë subjektit që përfaqëson, Lëvizjes Vetëvendosje.

Reklama e sponzorizuar

“Por, me gjithë vlerësimin për qëllimet e mira të nënshkruesve, më duhet ta refuzoj këtë ftesë për arsye se një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Sipas tij takimi mes udhëheqësve të institucioneve dhe kryetarëve të partive parlamentare do të kishte kuptim nëse qeveria do të kishte përgatitur një platformë me kërkesa ndaj Serbisë, të cilën do të duhet ta paraqiste në Kuvend për të kërkuar miratimin e 2/3 të deputetëve.

“Veprimi i qeverisë pa platformë, apo me platformë që i mbahet fshehur Kuvendit, jo vetëm që e fyen demokracinë dhe ne si subjekt më i madh parlamentar, por e dëmton interesin kombëtar. Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial? Ne nuk mendojmë se Kosova i ka borxh Serbisë diçka, dhe nuk dëshirojmë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës nuk është diçka që ne mund ta blejmë, atë mund ta fitojmë duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë”, ka thënë Kurti, transmeton KOHA.

Përveç presidentit, shton Kurti, problem për ne është edhe pjesëmarrja në një takim me një kryeministër i cili nuk gëzon as legjitimitet demokratik e as autoritet popullor, e i cili pretendon që kështu i dobët të shkojë të negociojë për Kosovën.

“Dobësia e tij do të shndërrohet në dobësi të Kosovës nëse nuk veprojmë ashtu siç duhet e nëse procesin nuk e udhëheq subjekti e personi që fiton zgjedhjet e lira dhe demokratike që duhet të mbahen sa më shpejt. E si vërejtje shtesë, duke qenë se në ShBA ka filluar tashmë para-fushata elektorale, një takim i tillë i gjithë subjekteve politike të Kosovës do të mund të intepretohej si mbështetje gjithëpartiake në Kosovë, për një proces që ka mbështetje vetëm njëpartiake në ShBA. Presidenti i Kosovës, Thaçi, u përzie në zgjedhjet amerikane të 2016, kundër Donald Trump-it, e tash po përzihet në zgjedhjet e 2020 kundër Joe Biden-it. Të dyja herët, ka vepruar gabim, dhe e ka dëmtuar Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit mund të përfshihen në fushata krerët e partive, që mbështesin partitë me ideologji të ngjashme, por në asnjë mënyrë nuk bën të përfshihen krerët institucionalë shtetërorë, sepse është kundër parimeve elementare të diplomacisë e demokracisë.

“Tradita e historia e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA na kanë mësuar që mbi të gjitha ta respektojmë politikën amerikane për ne si dakordësi bipartizane”, shprehet Kurti.

Tutje ai ka folur edhe për kundërshtimin që duhet t’i bëhet Grenellit.

“Sa i përket të dërguarit të posaçëm Grenell, meqenëse ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë reciprocitetin me Serbinë, mendoj se duhet të veprojmë me të njësoj siç vepruam me ambasadorin Gelbard kur në 1998 tha se UÇK-ja është terroriste, pra ta kundërshtojmë njëzëri, në mënyrë që ta kuptojë se kjo qasje është e papranueshme për ne. Asokohe kundërshtimi ynë bëri që Gelbard të zëvendësohet nga Holbrooke, pra, ia pamë hajrin kundërshtimit. Edhe sot na duhet që Richard Grenell të zëvendësohet me një Richard Holbrooke të ri”, ka thënë Kurti.

Sipas tij mes tre udhëheqësve të institucioneve në Kosovë veç njëra është zgjedhur legjitimisht, e mes pesë kryetarëve të partive, veç njëri i ka fituar zgjedhjet.

“Një panel i tillë, me këtë pjesëmarrje, ka efektin paradoksal që personat legjitimë i nxjerr në pakicë. Të dy bashkë, unë dhe kryeparlamentarja, kemi mbështetje qytetare sa dyfishi i gjithë të tjerëve marrë së bashku. Dua të theksoj edhe një herë se jam i gatshëm për çdo bashkëbisedim e bashkëpunim me ju, për të mirën e Kosovës, në çdo platformë virtuale ose jo, kudo e kurdo, por pa këta që ia nxinë jetën popullit dhe faqen Kosovës, tash e 20 vjet”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet për qytetarët.

“Së fundi, le të mos harrojmë atë që është e para: përveç ballafaqimit me pandeminë COVID-19, preokupimet kryesore të qytetarëve të Kosovës janë drejtësia e punësimi, pra luftimi i korrupsionit e zhvillimi ekonomik, jo dialogu me Serbinë. Kjo u dëshmua në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe ua konfirmojnë edhe më shumë sot qytetarët anembanë Kosovës”, shprehet Kurti.