Autoriteti Kosovar i Konkurrencës thotë se do të jetë i pa kompromis nëse do të vërehen keqpërdorime apo çfarëdo kushti tjetër tregtar që eventualisht mund të vendoset nga institucionet shëndetësore private të licencuara për testim për COVID-19.
Në një konferencë për media, drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi tha se kanë kërkuar nga laboratorët privatë, të licencuar për kryerjen e testeve për COVID-19 që deri më 17 gusht të dorëzojnë listën e çmimeve të testeve serologjike dhe testeve me metodën PCR.
“Autoriteti i Konkurrencës i ka njoftuar laboratorët që detyrimisht të zbatojnë dispozitat e nenit katër të Ligjit për mbrojtje të konkurrencës duke shmangur çfarëdo marrëveshje të ndaluar apo aktivitete me ndërmarrjet tjera që kryejnë të njëjtin shërbim”, ka thënë ai.
“Çmimet e këtyre shërbimeve duhet të dallojnë nga laboratori në laborator bazuar në Kushtetutën e Kosovës neni 10, bazuar në parimin e mikroekonomisë – ofertë dhe kërkesë, si dhe në parimin e produktit dhe shërbimeve kualitative, bazuar në koston e importit individual dhe parimeve të tjera”, tha Prestreshi.
Institucionet private shëndetësore do të jenë të obliguara që çdo të hënë të dërgojnë qarkullimin javor në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.
Ndryshe, disa laboratorë në Prishtinë, të licencuar për teste serologjike për koronavirus, kanë nisur punën dhe thonë se çmimet variojnë nga 25 deri në 50 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa.
Çmimet për teste serologjike në Kosovë dallojnë nga laboratori në laborator.
Ndërkaq dy nga institucionet shëndetësore të licencuara në Kosovë për testim me metodën PCR dhe teste serologjike për koronavirus, i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë më 11 gusht se ende nuk kanë filluar të bëjnë këto teste dhe nuk e dinë se sa do të jenë çmimet.
Në vendet e rajonit, çmimet për testimin serologjik në disa institucionet private shëndetësore janë prej 17 deri 32 euro. Në Shqipëri, testimi serologjik kushton 32 euro. Në Serbi është 17 euro, ndërkaq në Mal të Zi nga 17 deri në 22 euro. Në Maqedoni të Veriut testimi serologjik kushton nga 20 deri në 45 euro.
Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti