Llumnica: Qeveria s’ka bërë gjë për punëtorët e KEK-ut

Sindikata e re e Punëtorëve të KEK-ut është njëra sindikatat që iu ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, pjesë e së cilës ishte edhe tërheqja e 10% të Trustit.

Nënkryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, deklaroi për KosovaPress se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për punëtorët e KEK-ut dhe se Kuvendi duhet të reflektojë dhe të votojë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë asgjë për punëtorët e KEK-ut, faktikisht, ne pritëm që të votohet kjo pako e rimëkëmbjes ekonomike ku hyn edhe Trusti pensional prej 10 për qind. Punëtorët e KEK-ut na kanë autorizuar të kërkojmë prej deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta votojnë (projektligjin për rimëkëmbje), jo se po na i jep Qeveria këto para, jo sepse është gjithçka mirë, mirëpo nëse paratë tona të kursyera deri me tash nuk i shfrytëzuam kësaj radhe, atëherë kur duam t’i shfrytëzojmë ato”, tha Llumnica.

Reklama e sponzorizuar

Llumnica deklaroi se iu kishin dërguar SMS edhe rreth 70% të deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke iu kërkuar që ta mbështesnin këtë projektligj.

Llumnica u shpreh se mos votimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në seancën e fundit të sesionit pranveror ishin për arsye politike dhe për inate të njeri-tjetrit.

Sa i përket situatës me pandeminë, Llumnica deklaroi se KEK-u vijon të punojë me staf të reduktuar ndërsa punëtorët punojnë deri në 12 orë në një ndërrim.