MASH-i sqaron çështjen e licencimit të çerdheve private

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sqaron se licencimi i institucioneve Edukativo – Arsimore Parashkollore Private, është kompetencë e saj. Megjithatë, thotë është kompetencë e autoriteteve komunave që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike – sanitare.

Kjo vjen pas raportimeve të djeshme, ku kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu përgjigj Asociacionit të institucioneve parashkollore duke thënë se çerdhet private nuk janë në kompetencë të komunës.

Por MASH-it thotë se bazuar në legjislacionin në fuqi, procedurat për licencim janë të ndërlidhura edhe me dhënien e pëlqimit të Institucioneve të tjera publike, nga pëlqimi i të cilave varet pajisja me licencë IEAPP-ve nga ana e MASH.

Reklama e sponzorizuar

“Është kompetencë e autoriteteve komunale, sipas Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2016, që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike-sanitare. Për deklarimin publik ku thuhet se nuk është kompetencë e komunave të mbikëqyrë dhe kontrollojë kopshtet private si dhe komuna nuk posedon listë të IEAPP-ve, MASH njofton se lista e të gjitha IEAPP-ve të licencuara publikohet faqen zyrtare të MASH dhe e njëjta është e qasshme për publikun dhe palët e interesuara”, thuhet në njoftimin e MASH-it.