Forumi Botëror i Investitorëve Engjëj ka njoftuar se Ministrja e Financave, Hykmete N. Bajrami, do të përfaqësojë Kosovën si Komisionere e Lartë në Asamblenë e Madhe të forumit më të madh në botë të investitorëve engjëj.
Aty shkruan për biografinë e Ministres së Financave e cila më herët ka qenë edhe më krye të Arsimit dhe Tregtisë dhe Industrisë si dhe është profesoresh e ekonomisë në UP.
Njoftimi i WBAF
(Londër) Komisionerja e Lartë Profesoreshë Hykmete N. Bajrami do të përfaqësojë Kosovën në Asamblenë e Madhe të Forumit Botëror të Investitorëve Engjëj të Biznesit (WBAF). Përfshirja e Kosovës në WBAF ofron një varg të gjerë të mundësive për bizneset fillestare të Kosovës dhe bizneset me rritje të lartë, si dhe hap dyert për zhvillim ekonomik.
Profesoresha Bajrami do të udhëheq një komision të zhvillimit ekonomik në kuadër të Forumit Botëror të Investitorëve Engjëj të Biznesit. Duke u bazuar në përvojën e saj akademike nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës, ajo do të ligjërojë në Programin e Certifikimit të Shkollës së Biznesit në kuadër të WBAF në Diplomaci Ndërkombëtare për Ndërmarrësi. Ajo gjithashtu do të shërbejë si anëtare e bordit të grupit të ‘Diplomacisë në Veprim’ për grupin e Ndërmarrësve.
Përfshirja e rritur e Kosovës në planet globale të veprimit në kuadër të Forumit Botëror të Investitorëve Engjëj do të hapë mundësi të shkëlqyera për vendin. Investitorët vendas kosovarë, qendrat e inkubacionit, përshpejtuesit, fondet e kapitalit privat, fondet e bashkë-investimeve, parqet e teknologjisë, ndërmarrjet e korporatave dhe ndërmarrësit ambiciozë tani do të kenë më shumë mundësi për t’u lidhur me udhëheqësit globalë në fushat e tyre të veçanta.
Lidershipi i profesoreshës Bajrami si Presidente e një Komisioni të Zhvillimit Ekonomik në WBAF do të ofrojë një varg të gjerë të mundësive për bizneset fillestare, bizneset e shkallës, dhe biznese me rritje të lartë, si dhe do të hap dyert për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve tjera të rajonit.
Baybars Altuntas, Kryetari Ekzekutiv i WBAF, deklaron se: ’Si pjesë e Partneriteteve Globale G20 për Përfshirje Financiare (GPFI), WBAF mbështet bizneset fillestare, zhvillon ekosisteme të ndërmarrësisë, ndihmon bashkimin e kapitalit të sipërmarrjeve dhe mbështet kompanitë individuale që të lidhen me kompani ndërkombëtare, me teknologji financiare dhe institucione të tjera relevante. Ne jemi të sigurt për kontributin tonë në zhvillimin ekonomik të vendeve duke lehtësuar lidhjet me ekosistemet e ndërmarrësisë. Ne fuqimisht besojmë se Kosova dhe rajoni i Evropës Juglindore do të përfitojnë nga përpjekjet e Ministres Bajrami për të fuqizuar sektorin e ndërmarrësisë së vendit përmes ndërmarrësisë, inovacionit dhe investimeve engjëllore’.
Ministrja Bajrami ka deklaruar se: ’Angazhimi i WBAF në ekonominë e Kosovës dhe Evropës Juglindore është një reagim i mirë ndaj COVID-19. Në mjedisin e biznesit pas pandemisë, përshkallëzimi i bizneseve kërkon aftësi të veçanta të ndërmarrësve, të cilët janë të obliguar të sigurojnë financimin sa më shpejt që të jetë e mundur. WBAF do të luajë rol të dobishëm në lidhjen e ndërmarrësve kosovarë me investitorë të kualifikuar anë e kënd globit. Unë besoj se nëse Kosova është në gjendje të themelojë një zyrë të WBAF-it në Kosovë, kjo do të fuqizojë si ekonominë e Kosovës ashtu edhe ekonominë rajonale si tërësi’.
Rreth Forumit Botëror të Investitorëve Engjëj të Biznesit (WBAF)
Si pjesë e Partneriteteve Globale G20 për Përfshirje Financiare (GPFI), WBAF është i përkushtuar të bashkëpunojë për të fuqizuar zhvillimin ekonomik të botës duke nxitur instrumente financiare inovative për bizneset fillestare, shkallëzimin, inovatorët, ndërmarrësit dhe NVM-të, dhe për të promovuar barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në të gjithë sektorët e ekonomisë botërore. WBAF ju fton që të bashkoheni me përpjekjet tona globale për të lehtësuar qasjen në financa, për të promovuar përfshirjen financiare, dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe drejtësi sociale.
WBAF përmbush misionin e vet përmes palëve dhe kanaleve të ndryshme. Këto përfshijnë: 361 komisionerë të lartë, senatorë dhe partnerë ndërkombëtarë nga 105 vende; 7 zyra vendore në 5 kontinente; Shkolla e Biznesit e WBAF me mbi 50 profesorë universitarë nga 32 vende; dhe 5 komitete ndërkombëtare punuese. WBAF gjithashtu ka në dispozicion një fond të investimeve të engjëjve; partneritet me 12 institucione globale si dhe marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik me 5 qeveri. Kongresi Botëror i WBAF, që mbahet në muajin shkurt të çdo viti, pret të paktën 5 samite dhe një numër ngjarjesh të tjera, duke përfshirë fushatën globale të mbledhjes së fondeve, dhe një ceremoni të Çmimeve të Ekselencës Botërore. WBAF gjithashtu krenohet me një numër botimesh, ndër të cilat janë Revista e Shkollës së Biznesit WBAF, Revista e Biznesit Fillestar të Klasit Botëror, si dhe Revista Online e Investitorëve Engjëj.
www.wbaforum.org
Rreth GPFI
Partneriteti Global për Përfshirje Financiare (GPFI) është platformë gjithëpërfshirëse për të gjitha vendet e G20, vendet jo-anëtare të G20, dhe palët e interesuara relevante për të çuar përpara punën për përfshirjen financiare, përfshirë edhe zbatimin e Planit të Veprimit për Përfshirjen Financiare të G20, të miratuar në Samitin e G20 në Seul. Mbretëresha Maxima e Holandës është Patron Nderi në GPFI.
www.gpfi.org
Rreth Hykmete N. Bajramit
Znj. Hykmete N. Bajrami, u emërua si Ministre në Ministrinë e Financave më 3 qershor 2020. Përpara se të emërohej në këtë pozitë, që nga 3 shkurti 2020, ajo ishte Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Nga viti 2014 deri në 2017 ajo ka shërbyer si Ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Që nga viti 2010, znj. Bajrami, si anëtare e LDK-së, është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër legjislatura. Gjatë angazhimit të saj si deputete, znj. Bajrami ka qenë anëtare e disa komisioneve parlamentare, si; Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Që nga viti 2007, zonja Bajrami ka qenë pjesë aktive e këshillit të ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku fokusi kryesor i kontributit të saj ishte në çështjet ekonomike. Znj. Bajrami ka shumë vjet përvojë në organizata dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendore. Në periudhën 2000-2002, ajo ka punuar në Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë – Shtylla IV e BE/UNMIK. Pastaj, gjatë periudhës 2003-2007, ajo ka punuar në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, për të vazhduar në Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, deri në vitin 2009. Në vitin 2010, Bajrami ka qenë këshilltare e Bankës Botërore për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Znj. Bajrami përfundoi studimet e saj themelore në vitin 2000, në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës, Departamenti i Menaxhmentit dhe Informatikës, ku ishte bursiste e fondacionit ”Xhavit Ahmeti” dhe iu dha çmimi ”Student i Dalluar” nga Universiteti i Prishtinës. Ajo ka mbaruar studimet master në Universitetin Staffordshire në Angli në 2003 si bursiste e Universitetit OSI-FCO-Staffordshire. Në vitin 2011, ajo përfundoi studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Znj. Bajrami ka qenë pjesë e stafit akademik të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës që nga viti 2004. Është autore e një numri të punimeve akademike dhe artikujve shkencorë të botuar në revista të ndryshme ndërkombëtare.
Znj. Bajrami është e martuar dhe është nënë e dy vajzave.